Marrëdhëniet në mes të Rusisë dhe Turqisë janë përmirësuar shpejt dhe Moska është e lumtur për një gjë të tillë, ka thënë presidenti rus, Vladimir Putin gjatë takimit në Moskë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Jemi të lumtur që marrëdhëniet tona ndërshtetërore janë duke u përmirësuar shpjet. Takimi jonë i fundit, i këtij formati ishte shumë kohë më parë, nese nuk gaboj më 2014. Por shumë ngjarje kanë ndodhur që atëherë. Ne jemi duke punuar që të sigurohemi që marrëdhëniet ruso-turke të arrijnë në nivel të kënaqshëm. Ne gjithashtu po punojmë në zgjidhjen e krizave botërore, në rend të parë, të krizës në Siri”, ka thënë Putin.
Takimi mes Putinit dhe Erdoganit, temë qendrore ka situatën në Siri. Rusia dhe Turqia mbështesin palë të kundërta në konfliktin sirian.
“Jam i lumtur të them se ushtritë dhe forcat tona speciale kanë ndërtura kontakte të afërta dhe efektive”, ka thënë Putin, duke shtuar se dy palët janë duke punuar për të zgjidhur krizën siriane.
Erdogan, gjatë takimit me Putinin, përveç çështjes të Sirisë, do të flas edhe për marrëdhëniet ekonomike dhe energjetike në mes vendeve, si dhe përpjekjet e të dyja shteteve për të luftuar terrorizmin.
Në fillim të takimit me Putinin, Erdogan foli për ndërtimin e tubacionit rrjedha turke dhe për centralin bërthamor në qytetin Akuju, duke thënë se sa i përket zbatimit të këtyre projekteve, Turqia dhe Rusia do të bashkëveprojnë në mënyrë proaktive.
Para takimit në mes të Putinit dhe Erdoganit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se dy presidentët do të flasin edhe për hetimin për vrasjen e ambsadorit rus në Ankara, Andrey Karlov.
Takimi Putin-Erdogan, vjen në kohën kur presidenti turk është kritikuar për deklaratat ndaj Berlinit, duke i krahasuar veprimet e Gjermanisë me ato të kohës naziste.
Disa qytete gjermane kanë anuluar disa tubime të ministrave të qeverisë turke, të cilët duan të marrin mbështetjen e popullsisë turke në Evropë, për referendumin e prillit.
Referendumi në Turqi pritet t’ia zgjerojë pushtetin presidentit Erdogan.
Por edhe marrëdhëniet mes Moskës dhe Ankarasë, këto dy vitet e fundit nuk kanë qenë të mira.
Në nëntor të vitit 2015, avionët e Turqisë rrëzuar një avion luftark të Rusisë në kufirin me Sirinë.