– Lëvizja për Reforma në PDSH e Ziadin Selës dhe Lëvizja Besa kurrsesi të gjejnë gjuhën e përbashkët. “Zënka”, e radhës vjen nga qyteti i Strugës, ku njëri nga personalitetet e partisë së Selës, Abdulla Qazimoski ka nisur akuza ndaj liderit të Lëvizjes Besam Bilall Kasami, njofton Zhurnal.
Shkak është bërë prononcimi i Kasamit në një media kosovare.
“Për hir të korrektësisë dhe të vërtetës, nuk munda të lexoj dhe mos të reagoj ndaj deklaratës skandaloze dhe fyese që kryetari i Lëvizjes Besa, BilallKasami e bëri në një media nga Kosova, për shqiptarët e Llabunishtës, Podgorcës, Oktisit dhe Borovecit. Të emërtosh shqiptarët më të përvuajtur në ish Jugosllavi dhe tani në Maqedoni, si “muslimanë sllavishtfolës”, përveçse është skandaloze dhe fyese është edhe emërtim racist dhe poshtërues”, thuhet në reagimin e Qazimoskit ndaj Kasamit.
Ne jemi shqiptarë, vijon ai, ashtu si edhe ju. Llabunishta, Podgorca, Oktisi dhe Boroveci kanë qënë dhe do të jenë shqiptare edhe pas shumë përpjekjeve të strukturave sllavo-shtetërore, për ta shuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare të këtyre qytetarëve.
“Në qoftë se nuk e keni ditur, po j’ua tregoj se banorët e kësaj ane, dhunshëm kanë qënë të detyruar të mësojnë në gjuhë maqedonase dhe iu është ndaluar të flasin gjuhën amtare, Gjuhën Shqipe. Të njëjtën gjë po e bëjnë sot VMRO dhe BDI-ja me nxënësit shqiptarë të Podgorcit edhepse ministër i arsimit është shqiptar. Ka qenë tendencë dhe agjendë e partive maqedonase që shqiptarët e kësaj ane ti trajtojë herë si sllavo muslimanë, herë si maqedonas muslimanë e herë si torbeshë”, shprehet Qazimoski.
“I nderuar z.Kasami, Struga ka kryetar komune shqiptar, për tre mandate radhazi vetëm falë banorëve të këtyre fshatrave që ju i referoheni me atë emërtim. Struga do të ketë kryetar shqiptar për aq kohë sa do të ekzistojnë Llabunishta, Oktisi, Podgorca dhe Boroveci. Sa për kujtesë, veç Llabunishta ka nxënës shqiptarë aq sa kanë të gjitha shkollat tjera të komunës së bashku. Kanë dashur dhe insistuar të na asimilojnë, por nuk e kanë bërë dot, sepse ne kemi qënë dhe do të mbetemi pararoja e shqiptarizmit në Strugë. Për fund, nderi i vetëm dhe më i vogël që ju Bilall Kasami mund t’jua bëni këtyre shqiptarëve, më të vuajtur dhe përndjekur gjatë një shekulli në Maqedoni, është që t’iu kërkoni falje dhe të tërhiqni deklarimin Tuaj për to”, përfundon reagimi.