Kosovë, festohet Kurban Bajrami

Myslimanët në Kosovë, por edhe në vendet tjera në Ballkan, po e festojnë Kurban Bajramin, njërën nga festat më të mëdha të fesë islame në botë. Festa që sipas Kur-anit zgjatë katër ditë, ka nisur në mëngjes me faljet e namazit të Bajramit, ndërsa mesazhi për paqe e solidaritet ka qenë thirrja që është përsëritur nga klerikët dhe besimtarët islamë.

Falja kryesore e namazit të Bajramit është bërë në xhamin e madhe në Prishtinë, ndërsa si rëndomtë xhamia “Sulltan Mehmet- Fatih” ishte shumë e vogël për t’i nxënë gjithë ata besimtarë, që kishin shkuar për ta fal namazin, prandaj dy të tretat e besimtarëve janë falë në rrugë dhe në oborr të xhamisë.

Myftiu i Kosovës Naim Ternava, në hudben e mbajtur ka porositur të gjithë besimtarët për paqe dhe solidaritet mes njerëzve, sidomos në ditët e festave. Ai tha se festë është e solidaritetit edhe me të varfrit, që sipas tij, në Kosovë nuk janë të pakët.

Myftiu i Kosovës, me tutje ka shtuar se vet ky Bajram mban edhe emrin Kurban Bajrami apo edhe festa e sakrificës, flijimit, festë që qëndron fuqishëm mbi parimet e unitetit, bujarisë, harmonisë, flijimit dhe sakrificës duke ngritur vlerat e islamit në nivelin më të lartë.

Artikulli paraprakFesta e Kurban Bajramit po kremtohet edhe në Shqipëri
Artikulli vijues5 gjërat që e karakterizojnë festën e Bajramit në Maqedoni