Njoftohet se që nga fillimi i konflikteve në Ukrainë në prill të vitit 2014, kanë humbur jetën 9.333 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendëssekretari i përgjithshëm për Çështjet Politike pranë Kombeve të Bashkuara, Taye-Brook Zerihoun, në Këshillin e Sigurimit njoftoi se që nga fillimi i konfliktit kanë humbur jetën 9.333 persona, dhe janë plagosur 21.396 të tjerë.
Zerihoun, i cili shpalosi informacione në lidhje me gjendjen e fundit në Ukrainë, para KS-së gjithashtu njoftoi se si pasojë e bombardimeve të fundit më 27 prill në Olenivka, që gjendet në afërsi të qytetit Donetsk, së paku katër civilë humbën jetën, ndërsa tetë të tjerë u lënduan.
Duke treguar se në javët e fundit dhuna është shtuar si asnjëherë më parë, Zerihound u bëri thirrje palëve që t’u japin fund konflikteve. Ai gjithashtu i kritikoi palët se kanë penguar hyrjen e ekipeve ndërkombëtare në këtë zonë, duke shtuar se ata më së shumti janë penguar në zonat e kontrolluara nga separatistët.
Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Vadym Prystaiko, tha se Rusia ka pozicionuar një njësit ushtarak prej 34 mijë ushtarësh në Donbas.
“Ky njësit, përveç ushtarëve rusë, përbëhet edhe prej militantësh të huaj dhe vendas. Gjeneralët dhe zyrtarët ushtarakë rusë e komandojnë dhe e kontrollojnë këtë ushtri të jashtëligjshme të armatosur rëndë”, tha Prystaiko. Ai ka shtuar më tej se njësiti rus është i armatosur më tepër se shumë ushtarë të shteteve anëtare të NATO-s, dhe se shumica e këtyre armëve përbëhen nga sisteme raketore.