Qeveria do të ngarkojë mediat me TVSH, gazetarët kundërshtojnë

Qeveria e Kosovës do që të kthejë TVSH-në për mediat elektronike dhe gazetat. Gazetat do të duhet të paguajnë 8 për qind TVSH. Norma e TVSH-së prej 8 për qind është paraparë edhe për furnizimin me shërbime nga mediat elektronike të radios dhe televizionit.

Por mediat elektronike do të detyrohen të paguajnë normën e TVSH-së standarde prej 18 për qind për reklama, që është një nga të hyrat kryesore të tyre. Të gjitha këto janë paraparë në draftin e Projektligjit për TVSH-në që është në diskutim publik.

Për kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, kthimi i TVSH-së është i papranueshëm. Sipas tij, nëse ky ligj miratohet siç është draftuar nga Qeveria, atëherë do të ndikojë direkt në punën e gazetarëve, shkruan Koha Ditore.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në vazhdimësi ka ngritur shqetësime për kushtet e rënda të punës në të cilat punojnë gazetaret në medie të Kosovës. Paralajmërimi për aplikim të TVSH-së në media është shqetësues pasi mendojmë se do të përkeqësojë edhe më tej gjendjen e gazetareve”, ka thënë Shabani. /Telegrafi/

Artikulli paraprakSa fëmijë i mungojnë Kosovës që nga lufta e fundit?
Artikulli vijuesDëshmitari: 250 mijë euro për vrasjen e Xhavit Halitit