Qeveria e Kosovës hapë mbi 1000 vende të reja të punës

0
339

Numri i të punësuarve në institucionet publike të nivelit qendror do të ketë një rritje të madhe në vitin 2018.

Kjo rritje e numrit të punëtorëve është pasqyruar në projekt-buxhetin e vitit 2018, që ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës.

Në buxhetin e miratuar për vitin 2017 ishin planifikuar që numri i punëtorëve në nivelin qendror të arrijë 39 mijë e 407 punëtorë. Në rishikimin e buxhetit të vitit 2017, numri i të punësuarve është rrit për 32 punëtorë, duke arritur në 39 mijë e 439 punëtorë që i kushtojnë. Në vitin 2017, buxheti për paga dhe mëditje ishte 303 milionë e 532 mijë e 728 euro. Nga 39 mijë e 439 të punësuar sa janë në buxhetin e vitit 2017, planifikohet të arrijë në 40 mijë e 515 të punësuar në vitin 2018.

Buxheti i ndarë për paga dhe mëditje në vitin 2018 është 323 milionë e 708 mijë e 568 euro. Pra, kemi një rritje të buxhetit për paga dhe mëditje prej 6.2% apo 20 milionë e 175 mijë e 840 euro më shumë buxhet se në vitin 2017 për paga dhe mëditje, shkruan kallo.com

Nga 56 institucione të nivelit qendror me 39 mijë e 439 të punësuar në vitin 2017 që marrin paga nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, 31 prej tyre nuk kanë planifikuar rritje të stafit në planifikim për vitin 2018. Për këto institucione që nuk kanë rritje të punëtorëve, ka një rritje të buxhetit që do të shkojë për rritje të pagave. Kurse për 24 institucionet tjera që planifikohet rritja e stafit në vitin 2018, do t’i kushtojnë shpenzime buxhetit në vlerë prej 17,883,655 € më shumë.

Radio-Televizioni i Kosovës është njëri prej institucioneve për të cilën nuk ka të dhëna për numrin e punëtorëve në projekt-buxhetin e vitit 2018.