Qeveria e re fokusohet te ekonomia dhe lufta ndaj korrupsionit

Kabineti i ri serb mbushi 100 ditë në detyrë në nëntor, me kryeministrin Ivica Daçiç të Partisë Socialiste të Serbisë që thekson parandalimin e falimentimit të shtetit si suksesin më të madh.

“Ne gjetëm një thesar të zbrazur dhe konsoliduam financat shtetërore. Pagat, pensionet dhe ndihma sociale janë duke u paguar rregullisht … Funksionet vitale të shtetit, të cilat ishin në rrezik, u siguruan në vetëm tre muaj”, tha Daçiç për gazetarët në fillim të këtij muaji.

Daçiç tha se prioritetet e mëtejshme do të përfshijnë përgjysmimin e deficitit buxhetor, i cili është aktualisht rreth 7 për qind, duke kursyer në sektorin publik dhe duke rritur prodhimin. Sipas analistëve, kjo periudhë është shënuar me përpjekje në drejtim të shmangies së falimentimit të shtetit, vazhdimin e negociatave me Kosovën dhe drejt rritjes së luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Sasha Gjogoviç, një bashkëpunëtor i Institutit për Hulumtime të Tregut, tha për SETimes se qeveria e re arriti të parandalonte “skenarin grek” që të ndodhte në Serbi, por ai shtoi se rreziku nuk është larguar akoma plotësisht.

Ai tha se qeveria, ndryshe nga ajo e mëparshmja, ka krijuar një buxhet ambicioz për vitin 2013.

“Megjithatë, ky kabinet nuk ka paraqitur një plan të qartë për ristrukturimin e sektorit publik dhe buxheti i ri bazohet kryesisht në rritjen e taksave”, tha Gjogovic. Dejan Vuk Stankoviç, profesor i sociologjisë në Universitetin e Beogradit, tha se qeveria ka tani “hapësirë për të krijuar stabilitet në planin social dhe ekonomik, të krijojë parakushte për një zhvillim më dinamik ekonomik dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës”.

Por, ai tha se në lidhje me Kosovën, qeveria përballet me kërkesat “e qarta dhe të drejtpërdrejta” të Brukselit, mbi të cilat varet hapi tjetër për në BE — marrja e një date për negociatat.

Në një përpjekje për të kapërcyer këtë problem, Daçiç mori një hap që paraardhësi i tij e kishte konsideruar të paimagjinueshëm — ai u takua me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.

Daçiç, nën ndërmjetësimin e Përfaqësues së Lartë të BE-së Kethrin Eshton, u takua dy herë me Thaçin dhe njoftoi se Serbia do të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura nga qeveria e mëparshme.

“Serbia pritet të bëjë shumë më tepër në mënyrë që të sigurojë një datë fillimi për bisedimet e anëtarësimit dhe presionet janë të pashmangshme”, tha për SETimes Ian Bankroft, bashkëthemelues i organizatës TransConflict.

Një nga premtimet më të mëdha të qeverisë së re ndaj qytetarëve ishte një betejë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo fushë është nën juridiksionin e zëvendëskryeministrit Aleksandër Vuçiç.

“Ne kemi nisur një luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe krimit dhe ajo është një luftë me zero-tolerancë kundër plagës më të keqe të shoqërisë moderne serbe. Tani ne jemi duke punuar në rreth 30 raste çdo ditë, që e cila ilustron fushën e betejës së madhe që është duke u zhvilluar”, tha Vuçiç. Megjithatë, analistët thanë se qeveria ka rrugë për të bërë në atë front.

“Vetëm pasi ne të shohim se qeveria ka arrestuar jo vetëm njerëz nga opozita, por edhe nga radhët e veta, unë do të mendoj se është një plan serioz, dhe kjo duhet të ndodhë së shpejti, sepse flitet shumë dhe ka shumë pak veprim në gjykatë”, tha për mediat e Beogradit Milan Nikoliç, i Qendrës për Studimin e Alternativave. Qytetarët kanë mendime të ndryshme për rezultatet e qeverisë.

Tijana Radovanoviç, një farmaciste nga Beogradi, thotë se është shumë shpejt për të nxjerrë ndonjë përfundim.

“Jeta është shumë e vështirë, rrogat dhe pensionet janë të ulëta dhe nuk është ndonjë ngushëllim i madh që është siguruar pagesa e tyre e rregullt. Ne nuk mund të presim, sa më shpejt ministrat ta kuptojnë aq më mirë do të jetë për të gjithë. Por është mirë që ka një tjetër qeveri, është mirë të përzihen pak letrat”, tha ajo për SETimes.

Megjithatë, Milenko Matiç kundërshton që qeveria ka rënë dakord për bisedime me Thaçin.

“Nuk duhet të ishin mbajtur bisedime me atë derisa të vendosej nëse ai është përgjegjës për krime lufte. Unë mendoj se kjo qeveri dëgjon më shumë Brukselin, krahasuar me atë që duan qytetarët e saj”, tha Matiç për SETimes.

Artikulli paraprakBarnat pa udhëzime në gjuhën shqipe
Artikulli vijuesNjë serb i Kosovës lirohet nga akuzat për krime lufte