Shuma alarmante të mjeteve vazhdojnë të shpenzohen edhe më tej nga Qeveria e Kosovës për këshilla rreth projekteve të ndryshme që janë duke u zbatuar në vendin tonë.
Në mbledhjen e parafundit, Qeveria e Kosovës i ka ndarë edhe 3.5 milionë euro për këshilltarë të tre projekteve.
Në vendimin e Qeverisë thuhet se 350 mijë euro do të ndahen nga Ministria e Financave për shërbime të këshillimit për Ministrinë e Infrastrukturës për prokurimin dhe kontraktimin e operatorit ekonomik të kualifikuar për shërbime këshillëdhënëse për transaksionin e projektit “Route 6”.
Në vendim thuhet se Ministria e Financave do të transferojë mjete shtesë nëse kërkohet dhe vlerësohet si e arsyeshme për realizimin e kontratës për shërbime këshillëdhënëse.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës i ka ndarë edhe rreth 903 mijë euro për shërbime të këshillimit për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, për përmbushjen e obligimeve ekzistuese ndaj këshilltarëve ligjorë të projektit “Kosova e Re”.
Po ashtu, Ministria e Zhvillimi Ekonomik, që drejtohet nga Besim Beqaj, do ta shpenzojë edhe një shumë të konsiderueshme të mjeteve për këshilltarë rreth përgatitjes se procesit të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe Distribucionit.
Për këtë qëllim në mbledhjen e parafundit Qeveria ka ndarë hiq më pak se 2.2 milionë euro. /Zëri/kohaislame