Qeveria e Kosovës nuk ka një afat të qartë se kur do të nisë procesi i formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, si obligim nga Marrëveshja e Brukselit, e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni do të formohet në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.Halil Matoshi, këshilltar për media në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha nuk ka një afat kohorë se kur do të merret një vendim politik për formimin e këtij Asociacioni.
Megjithatë, ai thotë se formimi i Asociacionit është obligim politik i Qeverisë së Kosovës.“Kjo është një çështje politike e cila ka një dakordim të përgjithshëm dhe buron nga Pakoja e Ahtisarit. Po ashtu, Kosova dhe Qeveria e Kosovës e kanë një dokument, përkatësisht një verdikt të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe në suaza të këtij verdikti të Gjykatës Kushtetuese dhe në suazave të asaj që burojnë nga dokumentet tjera të nënshkruara nga pala kosovare, do të themelohet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha matshi.“
Por, as nuk është urgjente e as nuk…. do të thotë diçka shumë e ngutshme për Qeverinë e Kosovës, sepse së pari duhet të hartohet draft-statuti, e pastaj të rishikohet dhe sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjes së Brukselit, kështu që ai duhet të shkojë sërish për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese, andaj kjo punë bëhet në afat optimal, por nuk ka ndonjë datë”, tha Matoshi.Ndërkaq, Rozafa Ukimeraj, Sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka ndonjë nismë për formimin e grupit i cili do të merret me hartimin e statutit për Asociacionin.
“Sipas mandatit të Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit, është ndryshuar vendimi për ekipin menaxhues në verën e vitit 2016. Nga ajo kohë nuk është se ka ndonjë lëvizje, sepse pritet një vendim politik [nga Qeveria] për të vazhduar procesi”, u shpreh Ukimeraj.Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se nuk pritet që Qeveria e re e Republikës së Kosovës të ndërmarr ndonjë veprim në asnjë prej temave të rëndësishme, edhe pse sipas tij, ata që qeverisin aktualisht kanë ardhur në pushtet duke premtuar se do të merren me çështje të tilla.“
Pra, ardhja e tyre në Qeveri është pikërisht për arsye të këtyre temave dhe për shkak të kësaj. Por, unë nuk besoj se e kanë tash, e as që do ta kenë deri sa të qëndrojë kjo Qeveri, guximin që të merren me këto tema të rëndësishme. Sa më shumë t’i zvarrisin këto gjëra, aq më shumë e zvarrisin dialogun, aq më shumë e zvarrisin normalizimin e marrëdhënieve, aq më shumë e zvarrisin shtirjen e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Gecaj.
Sidoqoftë, zyrtarët nga subjekti politik, Lista Serbe kanë deklaruar se do të insistojë që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ata madje janë shprehur se formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, shumë shpejt do të gjendet në rend të ditës.Deputeti Igor Simiq, nga Listën Serbe, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka më vend për bisedime dhe që është e nevojshme që të shihen rezultatet konkrete dhe proceset që çojnë kah formimi i Bashkësisë së komunave serbe, në atë mënyrë se si është arritur pajtimi në Bruksel dhe jo ashtu siç po përpiqet dikush që ta paraqesë në Kosovë”.
Marrëveshja për Asociacionin, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.