Prishtinë, 26 mars – Vendimet e Qeverisë nxorën nga arka e shtetit 10 milionë euro, të cilat u shpenzuan pa planifikim buxhetor, shkruan sot Koha Ditore”. Në dokumentin e buxhetit për vitin 2011 nuk ka asnjë linjë të shpenzimeve të dedikuar për shpenzime të paplanifikuara. Me miratimin e këtij dokumenti ligjor në fundin e marsit të vitit të kaluar, Qeveria kishte planifikuar si rezervë vetëm 3 milionë e 95 mijë euro, të cilat dedikoheshin për shpenzimet e paplanifikuara. Por raporti i publikuar një vit më vonë, që flet për qarkullimin financiar të Qeverisë, nxjerr në pah mënyrën e shpenzimit të mjeteve. Janë afro 10 milionë euro, të cilat janë shpenzuar nëpërmjet vendimeve qeveritare, që nuk kanë qenë të planifikuara askund si projekte që duhet financiar.
Në bazë të këtij raporti, vendimin më i shtrenjtë i financuar nga Qeveria ishte ai për financimin e komunave në veri të Kosovës (një milion euro) si dhe për shpenzime kapitale në komunat që janë të banuara kryesisht me minoritetin serb. Komuna e Shtërpcës ishte financuar gjashtë javë para përfundimit të vitit me 482 mijë euro, Komuna e Kllokotit me 69 mijë euro, ajo e Parteshit me 98 mijë euro, Komuna e Ranillugut me 152 mijë euro, Graçanica ishte financuar me 100 mijë euro. Për subvencione dhe transfere, Graçanica kishte marrë nga Qeveria, po nëpërmjet vendimit, edhe 20 mijë euro të tjera, në po të njëjtën datë.
E për dërgimin e delegacionit të Kosovës në bisedimet “teknike” me Serbinë, Qeveria shpenzoi 541 mijë euro (më gjerësisht në “Kohën Ditore”).kohaislame