OVL e UÇK-së në udhëkryq, protesta apo parti

Gjendja e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve në Kosovë vazhdon të jetë e rënd dhe të mos zgjidhet me ligj. Ndërkohë, institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë bërë sa duhet në miratimin e ligjit, i cili do të zgjidhte shumë çështje të këtyre kategorive.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli tha në një intervistë për Kosovapress se veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve nuk e kanë gjendjen të cilën ata e dëshirojnë dhe të cilën e meritojnë këto kategori.

Xhemajli thotë se mundësia e hyrjes në politikë dhe garimi në zgjedhje, mund të ndodh pasi janë para një udhëkryqi.

“Janë dy mundësi. Ose të dalim në rrugë dhe përmes protestave dhe demonstratave të ndryshme të realizojmë të drejtat tona, ose të gjejmë rrugën përmes krijimit të një subjekti politik, apo përmes një liste të veçantë që do të përbëhet prej veteranëve të luftës së UÇK-së, për të garuar në zgjedhjet e ardhshme dhe problemet dhe ligji dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më luftën e UÇK-së të zgjidhen në mënyrë institucionale. Ne jemi duke i shqyrtuar këto mundësi dhe çdo gjë do të merret vendim brenda OVL të UÇK-së”, tha Xhemajli.

Ai thotë se mungesa e vullnetit politik ka qenë ajo që ka penguar dhe nuk ka lënë të realizohet ligji për vlerat e luftës së UÇK-së, në veçanti për veteranët e luftës.

“Komplet strukturat politike në Kosovë. Do të thotë nuk mund të dallojmë asnjë prej partive politike apo prej individëve që janë në politikë, nuk kanë bërë atë çka kanë mundur të bëjnë dhe çka është dashur të bëjnë për vlerat e luftës së UÇK-së e në veçanti për veteranët e UÇK-së”, tha Xhemajli.

Por duke qenë se këtë vit është paraparë verifikimi i ish pjesëtarëve të UÇK-së, Xhemajli thotë se kjo pyetje duhet të iu drejtohet institucioneve të vendit, të parës Qeverisë së Kosovës sepse Qeveria e ka krijuar komisionin për verifikimin e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe ata janë përgjegjës se pse nuk ka ndodhur verifikimi deri më tani.

Ndërsa, thotë se pretendimi i madh i njerëzve për të përfituar nga ligji, nuk përkon me realitetin, pasi janë të vetëdijshëm se mbi 20 mijë nuk ka qenë numri i atyre që kanë marr pjesë të drejtpërdrejtë në luftë. E, gjithë ky numër i madh i aplikantëve, sipas Xhemajlit është se të gjithë në Kosovë po përpiqen që të përfitojnë në mënyrë të paligjshme.

“Fatkeqësisht prej përfundimit të luftës deri më tani po thuaj të gjithë shqiptarët janë të etur për të përfituar në mënyrë të paligjshme. Po shohim në gjitha institucionet, vendet e punës ku janë shqiptarët shikojnë të përfitojnë në mënyra të paligjshme dhe në këtë formë një numër të konsiderueshëm të njerëzve iu ka mbet merak për të qenë pjesë e luftës së UÇK-së. Sepse lufta nuk bëhet njeriu sa herë të dojë dhe t’i tekët. Lufta vije shumë rrallë dhe njerëzit ndoshta për një gjeneratë mund ta presin për të kontribuar dhe për të sakrifikuar jetën e tyre përmes luftës për ta arritur lirinë që ta gëzojnë brezat të cilët do të vijnë pas nesh”, tha Xhemajli.

Madje as në organizatën që ai udhëheq, nuk janë lëshuar kaq shumë libreza sa kanë aplikuar për të përfituar nga ligji. Sipas tij, janë lëshuar rreth 27 mijë kartela, ku bëjnë pjesë edhe ata që kanë kontribuuar dhe që kanë qenë pjesëtarë të fondit Vendlindja Thërret.

Ai ka mohuar se ka njerëz brenda komisionit që tentojnë të fusin persona në këtë ligj, e të cilët nuk kanë qenë pjesë e luftës.

“Ne nuk jemi që askujt t’i mohohet e drejta për kontributin të cilin e ka dhënë. Por ne përderisa jemi edhe pjesë e komisionit nuk do t’i nënshkruajmë asnjë dokument për ata të cilët e dimë dhe kemi informacione që nuk kanë qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë Xhemajli.

Ndërsa, rreth mos koordinimit të shoqatave të dala nga lufta, pasi Xhevdet Qeriqit kishte formuar një këshill me disa ish pjesëtarë të UÇK-së, Xhemajli thotë se Qeriqi nuk është pjesë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Ai është me një këshill të cilin e ka formuar bashkë me një grup të bashkëluftëtarëve të cilët janë të pakënaqur dhe normal që secili ka të drejtën e organizimit për të mbrojtur interesat. Kërkesat e tyre janë shumë kërkesa legjitime e edhe ne jemi që ato kërkesa duhet të realizohen, por nuk pajtohemi në koncept dhe mënyra se si veprohet për t’i zgjidhur këto probleme”, tha Xhemajli.

Xhemajli thotë se synimi i organizatës për vitin e ardhshëm është që brenda gjashtë mujorit të parë të vitit që vjen të realizohet e drejta e veteranëve, të kaloj ligji në Kuvendin e Kosovës dhe ligji të jetë funksional. /Telegrafi/

Artikulli paraprakInstitucionet shëndetësore heshtin para skandalit në QKUK
Artikulli vijuesInstitucionet shëndetësore heshtin para skandalit në QKUK