Ebu Hurejra r.a. tregon:
“Ndërsa i Dërguari i Allahut a.s. ishte mes nesh në një grumbullim, ku po u fliste njerëzve, kur vjen një beduin (nga arabët e shkretëtirës) dhe thotë:
“Kur do të jetë Ora (Çasti i Fundit i kësaj bote dhe Ringjallja)?”
I Dërguari i Allahut a.s. vazhdoi fjalën e tij, kur disa nga njerëzit thanë se ai e dëgjoi çfarë tha, por nuk i kishte pëlqyer ajo për çfarë pyeti beduini, ndërsa disa të tjerë thanë se ai nuk e ka dëgjuar pyetjen fare. Pejgamberi a.s. e vazhdoi ligjëratën e tij, derisa e përfundoi, pastaj tha:
“Ku është, ta shikoj atë që pyeti për Orën?”
Beduini u përgjigj: “Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut.”
Pastaj Pejgamberi a.s. tha:
“Kur të humbasë amaneti, atëherë pra prit për Orën (Kijametin).”
Beduini pyeti sërish: “Si do të humbasë ai?”
Pejgamberi a.s. tha: “Kur fuqia e drejtimi t’u jepet në dorë njerëzve që s’janë të aftë e të përshtatshëm për atë punë, atëherë pra prit për Orën.”