Agjencia e lajmeve AFP bën të ditur se qindra muslimanë u mblodhën sot para Koloseut në Romë dhe e kryen atje lutjen e së premtes si protestë ndaj kufizimeve të lirisë së tyre për ta ushtruar besimin.
Mbyllja së fundi e pesë xhamive për arsye administrative i ka shtrënguar muslimanët, sipas organizatorëve të protestës, të mblidhen sot para Koloseut.
Një pjesë e mirë e muslimanëve në Itali besojnë se autoritetet lokale veprojnë të nxitur nga një klimë mosbesimi ndaj tyre.
Francesco Tieri, një i kthyer në Islam, e që vepron si bashkërendues për disa grupe muslimanësh, thotë se, “Ne e ndjejmë se njerëzit po e drejtojnë gishtin nga ne. Nuk ka vullnet politik për të pranuar se ne jemi këtu, e se jemi një bashkësi paqësore. Ne jemi të shtrënguar të marrim ambiente me qira për t’u falur; çka është për ne si thithja e ajrit. Nëse nuk e bëjmë këtë, ne vdesim!”
Sipas shifrave zyrtare, në Itali ka mbi 800.000 muslimanë që jetojnë legalisht, ndërsa 100.000 të tjerë qëndrojnë në vend pa dokumente zyrtare.
Raportimi i AFP-së thotë se kjo lë të kuptohet se muslimanët përbëjnë më tepër se 1.5 për qind të popullsisë, e se Islami është besimi i dytë më i ndjekur në Itali. Megjithatë, Islami nuk njihet si fe zyrtare, dhe shumë muslimanë, përgjithësisht afrikanoveriorë dhe aziatikojugorë ndjehen të diskriminuar për shkak të racës dhe fesë. /tesheshi.com/