QKUK-ja humb çdo vit mbi 2 milionë euro nga placentat

Dalja në jetë e një fëmije të porsalindur është ndjenja më e mirë për lehonën. Por nga trupi i saj bashkë me fëmijën del edhe “shtrati” (placenta), pjesa në të cilën është i formuar dhe zhvilluar fëmija për nëntë muaj rresht.

Placentat mund të sjellin përfitime të mëdha materiale, sepse ato ripërdoret në industrinë e kozmetikes, si dhe për prodhimin e hormoneve.

Mirëpo, meqë Kosova nuk ka strategji dhe organizim për të ripërdorur placentat për përfitim material, ato mbesin në Qendrën Klinike Universitare, respektivisht në Klinikën e Gjinekologjisë dhe asgjësohen.

Indeksonline mëson se vlera e një placente të tillë që hidhet nga QKUK-ja kap vlerën në treg nga 150 deri në 200 euro.

Në Klinikën e Gjinekologjisë së QKUK-së, vitin e kaluar kanë lindur 10 mijë e 290 fëmijë. Nga secila lindje e gruas del placenta e cila peshon prej 400 deri në 500 gramë. Nga kjo del se Klinika e Gjinekologjisë dhe QKUK-ja në vit humbin mbi 2 milionë euro në vit me hedhjen e këtyre placentave.

Pesha e përgjithshme e këtyre placentave vitin e kaluar ka arritur peshën 5 mijë e 145 kilogramëve.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës e pranon se Klinika e Gjinekologjisë nuk ka ndonjë strategji për eksportimin e placentave.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi përfitim material nga placentat, sepse ato mundë të përdoren në industrinë e kozmetikes si dhe për prodhimin e hormoneve, por pasi që në Kosovë nuk kemi këtë lloj industrie ato asgjësohen”, ka bërë të ditur zyra për informim në QKUK për Indeksonline.

Klinika e Gjinekologjisë e konfirmoi se pas daljes nga mitra placenta futet në një qese plastike në të cilat shënohen të dhënat dhe futen ne frigorifer me ngrirje të thellë, ku dhe bëhet grumbullimi i tyre.

E për asgjësimin e placentave merret kompania “Pastrimi”. Kjo e fundit ka kontratë me Qendrën Klinike Universitare për transportimin e mbetjeve nga morgu dhe Gjinekologjia.

Kompania Pastrimi përkujdeset për transportimin, groposjen (varrosjen) e këtyre placentave në varrezat e kryeqytetit.

Ligji thotë se placentat duhet të asgjësohen, që do të thotë të digjen me aparatura dhe furra të veçanta e jo të groposen.

Mirëpo e gjithë kjo procedurë e groposjes së placentave sipas QKUK-së bëhet në prani të komisionit i cili është i përbërë prej tre anëtarëve.

Kontaktuar nga Indeksonline, kompania “Pastrimi” ka thënë se varrosja e placentave bëhet në prani të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës, por kjo e fundit ka konfirmuar se nuk e monitoron një proces të tillë.

“Nuk jemi në dijeni për një gjë të tillë”, ka thënë Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës. Kjo mund t’i shtojë dilemat për tregti në të “zezë” me këto mbetje.

 

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë thotë se nëse QKUK-ja vendos që ta ketë një strategji për eksportim të placentave atëherë ajo do ta ketë përkrahjen e plotë të MSH-së.

“Çfarëdo që është në të mirë të QKUK-së, ne do ta përkrahim dhe do të jetë vetëm pozitive”, ka thënë Faik Hoti, zëdhënës në MSH, duke shtuar se kjo ministri nuk ndërhynë në çështjet administrative të QKUK-së.

Mirëpo me ligj në Kosovë placentat është e ndaluar të shiten. Ligji për mbeturina sanksionin asgjësimin e tyre.

Çka është placenta:

Placenta, që njihet ndryshe edhe si “shtrat i fëmijës”, është organ që krijohet në barkun e lehonës gjatë shtatzënisë. Kjo gjatë graviditetit sekreton disa hormone, të cilat kanë ndikim, jo vetëm në aktivitetin e organeve seksuale, por edhe në organizmin në përgjithësi. Përveç kësaj, funksioni kryesor i këtij organi është se gjatë graviditetit mundësohet metabolizmi në fryt. Përmes saj fryti furnizohet me oksigjen dhe materie ushqyese nga organizmi i nënës, e po ashtu përmes placentës fryti liron dioksid karbon me produkte të tjera zbërthimi.

Placenta sekreton disa hormone, të cilat ndikojnë në zhvillimin e mitrës dhe gjëndrave qumështore gjatë shtatzënisë. Placenta sekreton këto hormone: setronin, progesteronin dhe Prolanet (gonadostimulinat).

Kina komuniste është njëra ndër vendet që merret me tregti të placentave.

Spitalet shpeshherë atje ua shesin ato blerësve të paskrupullt, të cilët i shndërrojnë në medikamente kineze në formën e supave apo ushqimeve të tjera.

Në ditët e sotme placenta përdoret për të përgatitur supë dhe një lloj brumi, edhe pse ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i kësaj pjese të trupit njerëzor mund të shkaktojë infeksione, në rast se placenta nuk është ruajtur në mënyrë të duhur. /Indeksonline/

Artikulli paraprakQindra mijëra protestuesë kundër presidentes së Brazilit
Artikulli vijuesNdryshimet e ligjit për letërnjoftime para deputetëve