Rreth 50 pacientë për çdo muaj detyrohen të shkojnë në spitale private për t’i thyer gurët në veshka nga 250 deri në 300 euro apo t’i durojnë dhimbjet që u shkaktohen nga ta derisa aparati për thyerjen e gurëve në veshka nuk punon në QKUK tash e disa muaj
Ka disa javë që Ragip Hyseni, nga Skenderaj, duke mos duruar dhimbjet që i shkaktojnë gurët në veshka përdor terapi pa ndërprerë. 41-vjeçari ka treguar se dhimbjet ishin shumë të mëdha, ndërkaq një doktor që punon në Klinikën e Urologjisë i ka thënë se ato mund t’i thyejë përmes rrezatimit. Por aparatura ESWEL, e cila përdoret për thyerjen e gurëve në veshka është jashtë funksionit që nga dhjetori i vitit të shkuar dhe për pasojë ai po pret që të mundë t’i nënshtrohet intervenimit, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.
“Doktori më ka thënë të përdor terapi. Kjo nuk konsiderohet urgjente. Por në momentin që më lëshon terapia, dhimbjet janë shumë të mëdha dhe shpesh të padurueshme”, thotë Hyseni.
Pacienti vendos t’i durojë dhimbjet, nuk i ka 300 euro për intervenim
Ai ka thënë se për këtë tretman në një klinikë private në Prishtinë i janë kërkuar 300 euro.
“Këto nuk janë pak para. Sidomos për një punëtor krahu si unë, që fitoj nga 10 deri 15 euro në ditë”, shprehet ai