Qumështarët, pjesë e grupeve punuese në Ministrinë e Bujqësisë

0
232

Ministria e Bujqësisë sot në mbledhjen e grupeve punuese për qumështarët nuk i kishte përfshirë edhe shoqatat e fermerëve dhe qumështarëve, mirëpo pas një takimi ndërmjet drejtuesve të këtyre shoqatave me sekretarin e ministrisë së Bujqësisë, kanë arritur marrëveshje që këto shoqata të përfshihen në këto grupe.

Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve, Ramadan Memaj ka thënë se në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, përfaqësuesit e dy shoqatave nuk kanë qenë asnjëri në këto Grupe Punuese, mirëpo, sipas tij, ky problem është tejkaluar dhe tani e tutje do të bëhet një Grup tjetër Punues, në të cilin do të përfshihen edhe përfaqësuesit e shoqatave, transmeton Koha.net.

“Ne sot kemi ardhur një grup i vogël i përpunuesve të qumështit dhe shoqatës së fermerëve bashkërisht dhe në emër të dy shoqatave kemi kërkuar një lloj sqarimi nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, se cila është arsyeja që ne nuk kemi qenë në këto Grupe Punuese, pasi që po flitet për qumështin dhe për përpunuesit e qumështit, dhe në anën tjetër ne nuk jemi të përfaqësuar. Nga takimi që kemi pasur me zyrtarë të ministrisë, ky problem është tejkaluar dhe tani e tutje do të bëhet një Grup tjetër Punues, në të cilin do të përfshihen dhe përfaqësuesit e shoqatave, kështu që është një lajm i mirë për sot”, ka thënë Memaj.

Në të kaluarën ai ka thënë se ka qenë të përfshirë në Grupet Punese si shoqatë, dhe nuk i di arsyet përse janë përjashtuar nga ai grup. Memaj ka thënë se është me rëndësi prezenca e akterëve në këtë Grup për shkak se kanë pasur ankesa të vazhdueshme sa i përket mënyrës se si janë shpërndarë subvencionet dhe grantet nga kjo Ministri.

“Ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje se cila ka qenë arsyeja përse nuk kemi qenë të përfshirë në këto Grupe Punuese, megjithëse kemi kërkuar të dimë se cila ka qenë arsyeja. Arsyeja e tyre ka qenë, se nuk kanë njohuri pse ka ndodhur kjo…(03’14) Është me rëndësi prezenca e akterëve në këtë Grup të cilët e përbëjnë sektorin e qumështit, për shkak se kemi pasur ankesa të vazhdueshme sa i përket mënyrës se si janë shpërndarë subvencionet dhe grandet nga ana e Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Besim Kuqi nga Shoqata e fermerëve të qumështit tha se përfaqësues të tyre duhet me qenë në këto Grupe punuese për t’i paraqitur problemet e tyre vet, e jo dikush tjetër.

“Kontributi ynë është që fermerët të flasin për veten e tyre dhe jo dikush tjetër… Ne jemi shumë të shqetësuar me ata njerëz që marrin pjesë në këto Grupe Punuese, e nuk janë fermerë. Insistuam që me çdo kusht të jenë të pranishëm fermerët, të flasin për problemet e tyre”, ka theksuar Kuqi.

Shoqatat dhe Ministria e Bujqësisë janë dakorduar që nga nesër t’i dërgojnë emrat e përfaqësuesve të shoqatave të cilët do të marrin pjesë në Grupet Punuese.