Sociologia Aleksandra Markoviç në konferencën për media ku u prezantua hulumtimi i opinionit publik në prag të zgjedhjeve, foli për raportet e qytetarëve me Tribunalin e Hagës.
Sociologia Aleksandra Markoviç në konferencën për media të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), ku u prezantua hulumtimi i opinionit publik në prag të zgjedhjeve, foli për raportet e qytetarëve me Tribunalin e Hagës dhe përgjegjësinë për luftërat në ish-Jugosllavi, në kontekst të gjykimit të fundit të Vojisllav Sheshelit në gjykatën e Hagës, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke theksuar se ky vendim ka ndikuar edhe në rezultatet e hulumtimit, Markoviç tha se rezultatet treguan se 38 përqind e të anketuarve pajtohen se vendimi është marrë sipas drejtësisë ndërsa çdo i 10-ti qytetarë i Serbisë beson se vendimi nuk është marrë me drejtësi.
“Nëse vendimi i Tribunalit të Hagës do të kontribuojë që Serbia të pajtohet me të kaluarën dhe me popujt me të cilët ishte në konflikt, nuk pajtohen më shumë se gjysma e qytetarëve të Serbisë. Nëse vendimet e Hagës ishin të drejta dhe në përputhje me ligjet nuk pajtohen madje mbi 58 përqind, kurse 61 përqind besojnë se Gjykata e Hagës është formuar vetëm për të gjykuar serbët dhe t’ua hedhë atyre fajin për konfliktet në ish-Jugosllavi”, tha Markoviç.
Ajo tha se që nga viti 2000, e deri më tani, tek qytetarët e Serbisë vërehet një qëndrim negativ ndaj Tribunalit të Hagës, por një numër i madh i të anketuarve kishin qëndrim utilitar ndaj këtij institucioni, pra ata thonin se duhet të bashkëpunohet me Tribunalin, nëse është e nevojshme të shmangen disa pasoja apo plotësuar kushtet për anëtarësim në BE.