Qytetarët në Maqedoni përgatitje për pritjen e Kurban Bajramit

Në prag të njërës prej festave më të mëdha muslimane, Kurban Bajramit, në tregjet e qytetit, markete, qendra tregtare dhe dyqane vërehen më shumë blerës të cilët po i bëjnë përgatitjet për festën që po afrohet, ndërkohë që tregtarët përpiqen të jenë maksimalisht të pajisur me produkte që tradicionalisht konsumohen në ditët e Bajramit.

Për Anadolu Agency (AA), rreth përgatitjeve për Bajramin, tregtinë, produktet dhe atmosferën festive, kanë folur tregtarët e tregjeve të qytetit, si dhe qytetarë që duke blerë nga ta përgatiten për festën e Kurban Bajramit.

Një nga tregtarët më të vjetër të tregut të qytetit “Bit Pazar”, Imer Sali, për AA-në tha se për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kurbani Bajrami ka më pak blerës. Arsyen për këtë fenomen ai e sheh në gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve, për të cilën thotë se “luftojnë për të mbijetuar.”

“Nuk ka shumë blerës, është pothuajse e pavërejtur, njerëzit nuk kanë para, pagat janë të ulëta. Më parë kishim shumë punë, saqë nuk mund t’i arrinim”, tha tregtari i tekstilit Imer Sali.

Me të pajtohet dhe tregtari Nedim Kubur, i cili në treg shet produkte të ndryshme të tekstilit dhe materiale për shami.

“Bajramet e kaluara kishim më shumë punë. Ky Bajram është më i dobët, por, megjithatë, është mirë,” tha Kubur, i cili shtoi se zakonisht gjatë ditëve të Bajramit njerëzit blejnë edhe rroba.

Shitësi i frutave të thata dhe erëzave të ndryshme, Xhemail Kurtishi në këto ditë para festës së Kurban Bajramit pret të ketë më shumë punë, sepse ai thotë se tradicionalisht, njerëzit blejnë këto ditë, meqenëse gjatë këtyre ditëve përgatiten për festë, duke pritur mysafirët që i shërbejnë me produkte të ndryshme.

“Presim që të jetë më mirë, por jo si më parë. Vërehet se njerëzit nuk kanë para. Më shumë blihen arra, supa, ëmbëlsira, sheqerka, si dhe erëza”, thotë Kurtishi.

Tezgat dhe vitrinat e tyre janë të zbukuruara dhe të mbushura me një shumëllojshmëri produktesh për të cilat shitësit besojnë se janë të nevojshme për qytetarët të cilët janë duke u përgatitur për Kurban Bajramin.

Një nga blerësit e shumtë në treg është Mesut Emin nga Shkupi. Në bisedën për AA, ai tha se ka dalë për të bërë pazar për festën e Kurban Bajramit. Sipas asaj që kishte parë në treg, ai tha se ofrohet një shumëllojshmëri e produkteve të nevojshme për përgatitjet e Bajramit dhe se çmimet nuk janë rritur sepse tregtarët presin rritje të shpenzimeve.

“Këto ditë ka përgatitje për festë. Siç pashë, çmimet janë normale. Çdo gjë është në rregull. Blihen artikuj për përgatitje për Bajram. Më shumë blejmë ëmbëlsira për fëmijët që vijnë, fruta të thata dhe artikuj për gatim të bakllavasë”, tha Emin.

Përveç tregut, përgatitjet për Bajram bëhen edhe në Çarshinë e Vjetër. Nga dyqanet që ofrojnë modele të ndryshme të rrobave dhe këpucëve e deri te pastiçeritë dhe bukëpjekësit, shitësit janë të gatshëm t’i përmbushin nevojat e konsumatorëve, të cilët po përpiqen të pajisen me gjithçka të nevojshme dhe këtë festë të madhe muslimane, Kurban Bajramin, ta festojnë në mënyrën si i përshtatet.

Artikulli paraprakHaxhinjtë kanë në dispozicion 26.000 punonjës të shëndetësisë dhe 26 spitale
Artikulli vijuesCIA: Në Siri dhe Irak ekziston mundësia e ndarjes