Ligji për Komunikacionin Rrugor i hyrë në fuqi në vitin 2008 që me nenin 276 nuk ua vazhdon afatin e patentë-shoferëve atyre që ky afat u ka skaduar për një vit, ka nisur të zbatohet nga fundi i janarit 2015 pa i njoftuar qytetarët.
Emir Sylka nga Rahoveci në shkurt të këtij viti kishte shkuar në Qendrën e Regjistrimit Civil të qytetit të tij për ta vazhduar afatin e patentë-shoferit, por nuk kishte mundur të kryente punë.
Zyrtarët e qendrës i kishin thënë se leja e vozitjes i ka skaduar para më shumë se një viti dhe në rast të tillë, ai sipas ligjit konsiderohet që nuk ka patentë-shofer dhe duhet të kthehet përsëri në testin me shkrim dhe atë të vozitjes.
Sylka nuk kishte njohuri se ekzistonte një ligj i tillë dhe nuk u ndie mirë kur nuk ia vazhduan afatin e patentë-shoferit.
“Për herë të parë kam marrë vesh, kur kam ardhur këtu në zyrën e patentave me 9 shkurt 2015, ku zyrtari për patentë-shofer, me ka informuar, që vetëm 10 ditë më herët, nëse nuk gaboj 30 janar, ky ligj ka hy në fuqi edhe pse në vitin 2009 qenka aprovua në Kuvendin e Kosovës,” shpjegon Sylka.
Ai ankohet se institucionet nuk kanë bërë ndonjë fushatë për të njoftuar qytetarët se nëse nuk e vazhdojnë afatin e patentë-shoferit një vit pas skadimit, do t’u merret ky dokument.
“Për këtë arsye po na detyrojnë, me ligj të ri me hy prapë prej fillimit d.m.th., sikurse leja mos me qenë ekzistente fare, edhe me ju nënshtruar çdo provimi,” thotë Sylka.
Problem të njëjtë ka edhe mësuesja në pension Sanije Bugari që ka harruar të shikojë afatin e lejes së saj të vozitjes, ndërsa e njëjta tash nuk po mundet ta vazhdojë tash.
“Për mua është absurd që pas 40 vjetëve të hyj në provim e të marrë lejen për së dyti herë, kjo nuk është askund në botë, por vetëm tek ne, pse me lejet e UNMIK-ut u jepet e drejtë për t’i vazhduar, ndërsa me lejen e shtetit të Kosovës nuk e japin atë të drejtë, atëherë është një pyetje e madhe përse është ky ligj,” thotë Bugari.
Rasti më interesant nga ata që prisnin në rend në qendrën e regjistrimit për të kuptuar nëse mund ta vazhdonin afatin e patentë-shoferit ishte ai i 70 vjeçarit Shaban Sylka.
Shaban Sylka thotë se e ka lejen që 51 vjet, ndërsa tash i kanë thënë se duhet të kthehet përsëri në provim.
“Tash i kam mbushur 70 vjet, e pas 70 vjetëve me shkua në provim, nuk shkoj. Nëse ma vazhdojnë mirë, nëse nuk e vazhdojnë atëherë apet mirë, mu më duhet patenta, për m’u sjell andej ka shpija,“ thotë Sylka.
Mosvazhdimi i afatit të patentë-shoferit nëse kalon një vit nga skadimi i tij rregullohet me nenin 276 të Ligjit për Siguri në Komunikacion.
“Shoferi duhet t’i nënshtrohet në tërësi provimit teorik dhe praktik nëse brenda një viti që nga dita e skadimit të vlefshmërisë së patentë shoferit nuk aplikon, ose nuk iu ka vazhduar vlefshmëria e patentë shoferit,” thuhet në këtë nen.
Por ky ligj është në fuqi që nga viti 2008, ndërsa ky nen nuk është zbatuar asnjëherë deri në shkurt të këtij viti kur qendrave të regjistrimit nëpër komuna u është dërguar një e-mail për aplikimin e nenit 276 gjatë vazhdimit të afatit për lejet e vozitjes nga Agjencia e Regjistrimit Civil të Kosovës.
Në këtë agjenci në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com me anë të postës elektronike thonë se vetëm po e zbatojnë Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, ndërsa po mundohen të gjejnë zgjidhje për këtë problem.
Të njëjtën e thotë edhe Zyra për Informim e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Si çdo dokument tjetër që ka afatin e skadimit edhe patentë-shoferi e ka afatin e skadimit dhe ne jemi duke vepruar konform dispozitave ligjore,” thuhet ne përgjigjen e Zyrës për Informim të Ministrisë së Punëve te Brendshme.
Por qytetarët në Rahovec kërkojnë që t’u mundësohet të gjithëve vazhdimi i patentë-shoferëve dhe vetëm pasi të bëhet informimi i qytetarëve për këtë pjesë të ligjit, qendrat e regjistrimit të mos ua vazhdojnë afatet atyre që ky dokument u ka skaduar që një vit.kallxo./kohaislame