Qyteza serbe ku mijëra kosovarë po i mbushin prej javësh hotelet dhe bujtinat

Në qytetin që është njëkohësisht edhe një resort turistik, Paliç, në këtë dimër mbizotërojnë lëvizjet e shumta. Mijëra kosovarë po popullojnë prej javësh hotelet dhe bujtinat rreth e qark liqenit me të njëjtin emër.

Por ata atje nuk po kërkojnë të kryejnë pushime, por shumë më tepër janë të interesuar të gjejnë një rast të përshtatshëm për t’i shpëtuar varfërisë në vendlindje.

 

Porta e hyrjes drejt një të ardhmeje të menduar më të mirë, gjendet vetëm disa kilometra larg: tej kufirit me Hungarinë, emigrantët ilegalë duan të udhëtojnë më tej drejt vendeve të BE-së, për të ndërtuar atje një jetë të re.

 

Kosova, në vitin 1999 u nda nga Serbia pas një konflikti të përgjakshëm, ku u angazhua dhe NATO.

 

Në vitin 2008, Prishtina shpalli pavarësinë e saj, e cila akoma dhe sot e kësaj dite, nuk është njohur akoma nga Beogradi. Shteti i vogël renditet te më të varfrit në Europë. Rreth 40 për qind e 1,8 milionë banorëve të saj, jetojnë në varfëri.

 

Në Paliç është ngritur një rrjet kontrabandistësh, që i ofrojnë shumë shtrenjtë shërbimet e tyre për ata që duan të largohen nga Kosova. Dhe nuk është se s’ka kërkesa: sipas raporteve të mediave, çdo ditë nga Kosova nisen mesatarisht dhjetë autobusë në drejtim të Paliçit.

 

Stacioni final, vila “Lira”

 

Vetëm agjencia turistike “Adio Tours” në kryeqytetin Prishtinë, ka arritur të dërgojë në një ditë shkurti, tre autobusë me 150 kosovarë në të.

 

“Ne e kemi pavarësinë, por s’kemi gjë për të ngrënë”, thotë 27-vjeçari Hasan Fazliu, i cili mban në krahë të birin e tij njëvjeçar.

 

Udhëtimi drejt Paliçit zgjat rreth dhjetë orë. Stacioni final është vila “Lira”, një pikë e fshehtë takimi për kontrabandistët.

 

“Unë jam këtu bashkë me gruan dhe fëmijët e mi”, rrëfen 32-vjeçari, Selman.

 

“Ne paguajmë 100 euro për dhomën dhe ata kërkojnë 980 euro për të na kaluar drejt Hungarisë. Për disa, kjo është një shumë që nuk e përballojnë dot”.

 

Edhe 29-vjeçari Rizah, baba i një foshnjë, nuk mund t’i përballojë dot financiarisht shërbimet e kontrabandistëve: “Unë nuk i kam paratë, e nuk e di se çfarë do të bëj”.

 

Ndërkaq, në mes të borës që s’pushon, arrijnë në bujtinën “Lira” katër kosovarë të rinj.

 

“Ne do ta provojmë sot njëherë se mos ia dalim me forcat tona”, thonë ata, pasi mësojnë se çfarë çmimesh kërkojnë “ndihmësit” e emigrantëve.

 

Përfitim nga dëshpërimi

 

Lider i kontrabandistëve në Paliç, që ka lidhje me botën lokale të nëndheshme kriminale, është një burrë me emrin Sami.

 

“Bëni punën tuaj e kthehuni vetëm atëherë, kur ta keni përfunduar atë”, bërtet ai në celularin e vet dhe qetësohet vetëm kur njëri ndër bashkëpunëtorët e tij, i sjell fitimin e një nate më parë. Paratë i numëron në një tavolinë aty në bujtinë.

 

Por Samiu dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk janë të vetmit që po përfitojnë nga dëshpërimi i bashkatdhetarëve të vet.

 

“Shefi im nevrikoset kur mendon se ka vetëm dy autobusë në pronësi. ‘Edhe sikur të kisha pesë, vendet do të ishin prenotuar qysh një javë më parë’, më ka thënë ai”, rrëfen një shofer autobusi në Paliç.

 

Qysh prej fillimit të vitit, numërohen rreth 13 000 njerëz që kanë kërkuar azil në Hungari. Numri i tyre gjatë vitit 2015 mund të shkonte në gjithsej 100 000, vlerëson Antal Rogan, një politikan i rangut të lartë, anëtar i partisë në pushtet, Fidesz. Kjo shifër do të ishte më shumë se gjysma e asaj të një viti më parë.

 

Arratia masive nuk ndalet

 

Autoritetet në Kosovë nuk kanë ndonjë dëshirë të madhe për t’u marrë me pengimin e kësaj mase të madhe që po largohen nga vendlindja. Në vend të saj, ata e shohin si detyrë të vendit fqinj pengimin e emigrantëve.

 

“Serbia i ka hapur tërësisht dyert e veta për emigrantët ilegalë nga Kosova”, u ankua Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, pak ditë më parë.

 

Policia serbe, ndërkaq, bëri të ditur se brenda tri ditëve, rreth 450 shqiptarë nga Kosova janë ndaluar të kalojnë kufirin ilegalisht dhe janë arrestuar.

 

Në të njëjtën kohë rritet edhe numri i atyre që aplikojnë për një pasaportë serbe. Vetëm 60 000 nga këto kërkesa u regjistruan në javët e shkuara sipas të dhënave nga Beogradi. Kosovarët kanë nevojë për viza, për të udhëtuar drejt BE-së. Shtetasit serbë përkundrazi, mund të lëvizin lirisht në shumicën e vendeve të BE-së. /gazetashqip/die welt/

Artikulli paraprakMobilizohen bizneset, 250 vende pune për ta ndaluar migrimin
Artikulli vijuesVetëvendosje në Prishtinë: Kisha Ortodokse do të rrënohet