Dionis Xhafa
Gjyqi i Nurenbergut në përfundim të Luftës së Dytë Botërore çoi në litar tradhëtarët dhe gjakësit e popujve të tyre – fashistët e Europës, ku disa syresh u varën në mes të qyteteve europiane me kokën poshtë.
Tronditja e dytë e gjykatorëve të Europës pas të famshmit proces të Nurenbergut mund të cilësohet Haga ku u gjykuan një sërë liderësh politikë ballkanas, që vranë, masakruan dhe shtypën popuj vetëm se këta ishin tjetër etni apo tjetër besim fetar.
Qëllon që shumica dërrmuese e liderëve të përlyer në krime gjakësore kundër njerëzve të jenë serbë.
Disa mbështesin tezën se serbët i vranë shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët vetëm pse kishin tjetër etni e besim, e disa se kjo ishte hakmarrja e madhe serbe për të shkuarën e historisë jo aq të largët në breza.
Tek cilido version nga këto të jetë më afër e vërteta, asesi nuk mund të përligjet vrasja e mijëra e milionave shqiptarëve, kroatëve apo boshnjakëve.
Aq më tepër që nga ana e liderëve politikë serbë është tentuar deri shfarosja etnike, kryesisht e shqiptarëve dhe e boshnjakëve.
Kështu, në vazhdë të kësaj historie ballkanike të mirënjohur, lajmi i javës për ata që vërtetë e duan fjalën “liri” ishte se lideri politik i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç u dënua me plot 40 vite burg për akuzën e rëndë të genocidit mbi boshnjakët ç’ka në realitet është burgim i përjetshëm për shkak të moshës së ish-liderit serb.
Dënim i tillë të bën të mendosh se jemi dëshmitarë të “Nurenbergut të Dytë” të Europës që po i dënon politikanët fashistë serbomëdhenj.
Pavarësisht krimit të rëndë që rëndon mbi Karaxhiç, ai është dënuar vetëm për tu izoluar fizikisht përjetësisht.
Edhe pse Karaxhiç ka faje kriminale në mos më të rënda se liderët fashistë e nazistë të Europës, kohët tanimë kanë ndryshuar dhe se ai nuk mundet as të vritet e as të pushkatohet.
Tashmë Tribunali Ndërkombëtar i Hagës e mori vendimin dhe e dënoi atë për genocid, krimi më i rëndë që mund të ekzistojë.
Karaxhiç meriton të degdiset në errësirën e historisë dhe emri i tij gjithnjë do të kujtohet i lidhur pashmangshmërisht me krimet të zeza kundër njerëzimit!
Nga kryekriminel në “mirëbërës”
Lideri politik i serbëve të Bosnjes Radovan Karaxhiç ka një histori të ngjashme me filmat triller ose ato horror.
Pasi e shkatërroi, sakatoi dhe varrosi Sarajevën , i vrau mijëra boshnjakë dhe më pas i spastroi nga trojet e tyre stërgjyshore, ai diti si të fshihej brenda Serbisë për tu mos u diktuar nga autoritetet ndërkombëtare.
Karaxhiç u vesh si prift, ndërroi identitet në Dragan Dabiç dhe se kishte filluar një jetë thuajse normale në Luginën e Drinasit.
Karaxhiç, i kthyer tanimë në Dabiç bënte kinse iu ndihmonte njerëzve e madje kishte nisur edhe të promovohej në një revistë serbe, tashmë me identitetin e ri Dragan Dabiç.
Kjo në një kohë që Karaxhiç ishte i vetëdijshëm se vëzhgohej nga ana e CIA-s dhe agjencive të tjera të kërkimit ndërkombëtar.
Si Dragan Dabiç, ai kishte nisur të frekuentojë edhe kafene në zonën ku ishte fshehur.
Kjo situatë zgjati për shumë vite, derisa Dabiçi po shihte rreth e rrotull vetes fytyra të dyshimta të cilat ia vëzhgonin çdo lëvizje.
Kështu, rrugëtimi politik dhe ai civil i Radovan Karaxhiç mori fund teksa u arrestua në përpjekjen e fundit për ti ikur policisë në një tren.
Për 12 vite nuk ishte bërë i mundshëm arrestimi i Karaxhiçit, për shkak se ky akoma kishte influencë në strukturat e Inteligjencës Serbe, që ishin jo pak të mbarsura me nacionalizëm.
Mirëpo kur presioni ndërkombëtar për kapjen e Karaxhiç u rrit – njerëzit e Inteligjencës Serbe e “tradhëtuan” Karaxhiçin dhe iu bindën një prej liderëve më të moderuar të Serbisë, presidentit Boris Tadiç.
“Viktima” Karaxhiç në gjyq
Ish lideri politik i serbëve në Bosnje Radovan Karaxhiç, si të gjithë liderët serbë të çuar në Hagë, për të mos thënë të gjithë – nuk i ka pranuar akuzat.
Ai në fjalët e tij përpara gjykatësve ndërkombëtarë ka mbrojtur pa rreshtur tezën se është i pafajshëm dhe se gjithçka e ka bërë për popullin serb në Bosnje, që sipas tij rrezikohej nga ana e boshnjakëve vendas.
Kjo dëshmon më së pari se kemi të bëjmë me një lider i veshur me një nacionalizëm vrastar dhe për më tepër që as pendohet për krimet e kobshme të cilat i ka kryer.
Radovan Karaxhiç nuk ka rreshtuar të bërin viktimën në Tribunalin e Hagës dhe nga ana tjetër të bërit si patriot në syrin e serbëve.
Ai i dha jo pak zjarr të nacionalizmit të sëmurë serb, teksa tha se ka bërë gjithçka për ti ardhur në ndihmë etnitetit serb të Bosnje Herzegovinës.
Karaxhiç përpiqet të sillet si një hero në mesin e serbëve, edhe pse mbi të rëndon akuza e tmerrshme e genocidit mbi boshnjakët, duke i dëbuar nga trojet e tyre.
Karaxhiç jo vetëm që është i sëmurë vetë nga nacionalizmi serb, por me qëndrimet të cilat i mban sëmur edhe mijëra serbë, të cilët akoma e besojnë tezën e tij se “gjithçka e ka bërë për të mbrojtur serbët”.
Radovan Karaxhiç dhe Tomislav Nikoliç
Ish lideri serb Radovan Karaxhiç dhe Tomislav Nikoliç, presidenti aktual i Serbisë ngjasojnë tepër me njëri-tjetrin.
Ata ndryshojnë vetëm se Karaxhiç ka vrarë njerëz dhe ka kryer genocide, kurse Nikoliç nuk e ka ndonjë akuzë të tillë apo të ngjashme.
Për fat të keq, Nikoliç nëse nuk është së paku ka qenë në mesin e atyre mendjeve që mendonin se “Serbia duhet të shtrihej gjithandej ku ka serbë”.
Poashtu për fat të keq Nikoliç është përfaqësues i një brezi të vjetër serbësh të mbarsur nga ide të vjetëruara dhe teza nacionaliste të dala boje prej kohësh.
Në këtë kontekst, fill pasi u dha vendimi për dënimin e Karaxhiç me 40 vite burg, i menjëhershëm ishte reagimi nga ana e Tomislav Nikoliç.
Presidenti në detyrë i Serbisë tha se pavarësisht dënimit të Karaxhiç, Beogradi zotohet në mbrojtjen e popullit serb në Bosnje.
Kjo do të thotë se me gjasë Serbia do ta vijojë politikën e ashpër e të egër mbi boshnjakët dhe se edhe kthimi i etnitetit boshnjak në Bosnje do të jetë vështirësisht i arritshëm.
Tjetër është se supermacia budallaqe e idiote serbe mbi Bosnje vazhdon dhe me siguri do të vijojë për shumë kohë të jetë realitet.
Beogradi ka vendosur aty kukullën e vet të quajtur Milorad Dodik, lider ky tipik nacionalist serb.
Pavarësisht se ndër serbë u prodhuan liderë diktatorialë, gjakpirës të popujve, njerëz që kryen genocid dhe me damka të errëta, politika djallëzore e Serbisë mbi Bosnjen vijon të mbetet realitet i pamëshirshëm.
Mashat e zgjatura të përgjakura të Serbisë mbi Bosnjen janë realitet tragjik dhe se vijojnë të mbeten, derisa shtetit serb nuk i vihet fre që të mos ushtrojë më politika centralizuese dhe destabilizuese mbi Bosnje, Kosovë apo kudo tjetër ku padrejtësisht ushtron ndikim.
“Toka e kriminelëve” dhe ledhatimi nga Europa
Serbia, shtet ky që në historinë e vet është më së tepërmi fashist e aktualisht nacionalist, edhe pse fare mirë dihet se është toka e pjellave të nacionalizmit ekstrem, është më pranë Bashkimit Europian se Shqipëria, lërë më pastaj se Kosova.
Kjo lidhet edhe me atë se Serbia ështe meridiani politik mes Europës dhe Rusisë e ku secili nga këto të dyja i jep dhurata shtetit serb për tia mbushur mendjen.
Por se vetë shteti serb, klasa politike e saj e kanë mbarsur popullin me nacionalizëm aq të lartë sa është larg parimeve të lirisë dhe të bashkëjetesës, parime këto që qëndrojnë në themel të demokracisë europiane.
Historia me shtetin serb shpesh na ka ndarë dhe se Europa përpiqet të na afrojë.
Shqiptarë e serbë mundet të jetojnë bashkë kur të jenë dënuar kriminelët e luftës, kur klasa politike serbe të kërkojë falje për planet e zeza genocidale dhe se ato krime të mos përsëriten më kurrë nga ana e Serbisë.
Qielli i Europës na fton të jemi paqësorë dhe ta respektojmë lirinë si parimin më të shenjtë dhe më lartë njerëzor.
Fatkeqësisht qielli i Serbisë është një tymnajë, herë gri dhe herë e zezë nacionaliste, kaq e pistë dhe larg qiellit blu e të pastër europian.
Shpresa është që qielli i Serbisë ti hiqte retë e zeza e ato ti zëvendësonte me re të qeta.
Mirëpo Serbia edhe kur e bën një diçka të tillë, më së shumti e bën për sy e faqe të Europës pasi qielli i saj është në të vërtetë blozë dhe i mbushur me propagandë anti-shqiptare, anti-boshnjake, anti-kroate duke i urryer kurdoherë fqinjët e vet.
Shteti serb e vijon rrugëtimin e vet politik nacionalist kryesisht anti-shqiptar dhe se shpesh e mbron edhe krimin për “interesat e shenjta” të kombit serb.
Nacionalizmi ekstrem serb i liderëve sidomos veç përzihet si europian në faqe të Europës, se në realitet është mënxyra e një shteti që qëndron mjerisht krenar mbi krime dhe kurrë falje s’po kërkon!…