Rama: Ballkani do ti bashkohet BE-së, pavarësisht Brexit

Gjatë një interviste për “France Culture” Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Ballkani do të vijoi rrugën e drejt integrimit edhe pas daljes së Britanisë nga BE.

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për “France Culture” shprehet se Ballkani do të vijojë rrugën e tij drejt integrimit edhe pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Sipas Ramës, Ballkani do vijojë punën e tij në procesin reformues në kuadër të integrimit në BE.

“Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, pasi procesi i integrimit, është një proces modernizimi i pakthyeshëm. Nuk kemi asnjë mundësi tjetër. Në përgjithësi, ajo që më duket e çuditshme është se në botën e euroskeptikëve nuk flitet asnjëherë se BE është një projekt i paqes dhe sigurisë. Si mund të jemi më të sigurt e të garantojmë një jetë më të sigurt për të rinjtë? Përmes Bashkimit Europian apo përmes kthimit në të shkuarën?”, shprehet Rama.

“Moshapja e bisedimeve do të thotë moskrijim të kushteve për vendet tona për të lëvizur në rrugën e duhur. Duhet kuptuar se ka një diferencë thelbësore midis bisedimit dhe anëtarësimit. Për mua është e qartë që sot nuk jemi në lartësinë e duhur, por për të qenë në lartësi pas 10 vitesh duhet të negociojmë sot, pasi nuk ka alternativë tjetër. Duhet të negociojmë pasi negocim do të thotë modernizim, fuqizim të institucioneve dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, jo vetëm sipas vlerave, por edhe sipas modelit të funksionimit të Bashkimit Europian”, vijoi Kreu i Ekzekutivit.

Lidhur me euroskepticizmin Rama thotë se, “nuk është projekti që çalon, në principet apo vlerat e tij, por fakti që projekti nuk është përmbushur ende. Ndaj ky është një projekt që duhet përmbushur me shumë vizion dhe kurajë, për të bërë të mundur që t’i japë përgjigje disa problemeve që aktualisht nuk mund të marrin përgjigje. Mjafton të shohësh se si kanë ndryshuar gjërat në Ballkan për të kuptuar forcën e Europës mbi njerëzit dhe elitat politike të Ballkanit. Duhet vetëm të kujtojmë që kanë kaluar 3 vjet që kemi hyrë në një proces tërësisht të ri dhe që është një gjë që nuk mund të konceptohej deri pesë vjet më parë”.

“Vendet e Ballkanit bashkëpunojnë për paqen e sigurinë e përbashkët dhe kërkojnë ura bashkëpunimi midis tyre. Mjafton të shohësh se çfarë ka ndodhur mes shqiptarëve dhe serbëve në dy vitet e fundit. Është një afrim historik. Kjo ka ndodhur pasi forca tërheqëse e Europës e ka të bërë atë të mundur. Mbyllja në vetvete në Francë, në Angli, etj. do të thotë të kthehesh pas në një histori që bëri të domosdoshëm vetë krijimin e BE-së. Ajo që po ndodh tani në Angli është diçka me pasoja që mund të jenë vetëm negative”, vijoi Rama.

Artikulli paraprakKritere të reja rreth Kartonit të Gjelbër
Artikulli vijuesPolicia kërkon 2 500 jelekë anti plumb, vlera e kontratës mbi 2 milionë euro