Rasti “Kumanova”: ende asnjë polic nuk është dënuar për dhunën ndaj të burgosurve

Asnjë polic nga njësiti special nuk ka marrë padi penale për torturën ndaj të akuzuarve në rastin “Kumanova”, edhe pse avokatët mbrojtës, por edhe Avokati i Popullit kanë reaguar dhe kanë kërkuar që të jepet përgjegjësi për dhunën që ushtrohet ndaj të paraburgosurve, gjatë transportimit të tyre nga burgjet në Gjykatë dhe anasjelltas.

Ka muaj që askush nga kompetentët nuk e merr përgjegjësinë për dhunën e ushtruar duke përdorur deklarata shqetësuese në vend të akteve konkrete.

Njëri prej avokatëve mbrojtës Naser Raufi në deklaratën për Portalb vërteton se ende nuk ka aktakuze.

“Presim aktakuzën. Kemi informatë që Prokuroria punon”, tha ai.

“Çdo herë i torturojnë. S’ka pas rast që i kanë sjellë në gjykatë e të mos kish qenë dikush i torturuar. Edhe do të ketë raste të tilla, nëse s’ka dënim për torturuesit. Deri tash është dashur të kryhet kjo punë, e jo ne të presim aktakuzën”, deklaroi Raufi.

Ai siguron se nëse prolongohet më tutje kjo çështje do të reagojnë edhe te Këshilli i Prokurorisë.

Çfarë thonë institucionet kompetente?

“Kemi reaguar për dhunën ndaj të paraburgosurve në rastin “Kumanova”. Kemi kërkuar llogari nga drejtoria e burgjeve në rast se gardianët janë të përfshirë në dhunimin e të paraburgosurve, kemi kërkuar llogari prej Ministrisë për Punë të Brendshme pjesëtarë të njësiteve special i malltretojnë të paraburgosurit dhe kemi dërguar shkresë te Kryqi i Kuq dhe Avokati i Popullit. Respektivisht, nëse Avokati i Popullit ka konstatime për keqpërdorime të na i dërgojë ato dhe Kryqi i Kuq të bëjë vizitë te të paraburgosurit që të marrë nga afër informata dhe të dhëna të sakta, edhe në aspekti mjeko-ligjor nëse këto të paraburgosur janë të keqtrajtuar”, tha për Portalb ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi.

Xhaferi thotë se prej MPB-së ende nuk ka përgjigje. Ndërkaq, sipas tij, nga drejtoria e burgjeve u kanë thënë se gardianët e burgjeve nuk janë të përfshirë në torturën e të paraburgosurve.

Drejtoria e burgjeve ishte e pakapshme për prononcim nga Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Agim Nuhiu, zv/ministër i Punëve të Brendshme siguron se kanë kërkuar zgjidhje sistemore, në aspektin teknik, për të bërë sigurimin e provave se kush i malltreton të akuzuarit.

“Gardianët e burgut përkujdesen dhe udhëheqin me ta. MPB nuk i ka në kompetencë burgjet. Policia bën sigurimin e transportit të tyre nga burgu deri në gjykatë dhe anasjelltas. Do të ndëshkohen ata policë që veprojnë jashtë standardeve profesionale”, deklaroi për Portalb, Nuhiu.

Por ai nuk tregoi se KUR dhe SI do të ndëshkohen policët?! /

Artikulli paraprakGëzim Kelmendi: Sipas planit të PDK-së, me demarkacionin vendi shkon në zgjedhje (Video)
Artikulli vijuesKujdes, ju po e mbushni gabimisht telefonin tuaj!