Refugjatët mësyjnë Kroacinë

Grupet e refugjatëve, kryesisht sirianë, janë duke kërkuar rrugë të reja për të hyrë në vendete Bashkimit Europian pas mbylljes së kufirit të Hungarisë në vijën ndarëse me Serbinë.

Grupet e para të emigrantëve kanë mbërritur tashmë në pikat kufitare që lidhin Serbinë me Kroacinë. Thuajse të gjithë ata kanë si destinacion final Gjermaninë.

Situata e re e krijuar pas vendimit të Budapestit nuk ka zënë pa përgatitur autoritetet kroate. Zagrebi njoftoi se nuk ka ndërmend që të rrijë duarkryq dhe do të aplikojë kontrolle të forta kufitare.

Vendimi i Kroacisë është në të njëjtën linjë të ndjekur nga pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, përfshirë këtu Gjermaninë, të cilat kanë nisur zbatimin e masave më të forta të kontrollit kufitar.

Masat janë të atilla sa shumë analistë kanë nisur të flasin për vënie në diskutim të marrëveshjes së Shengenit, marrëveshje që siguron lëvizjen e lirë për çdo qytetar që hyn rregullisht në vendet e BE-së.

Ndërkohë, në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë vijojnë të bllokuar mijëra refugjatë sirianë të strehuar nëpër tenda. Në Hungari hyri në fuqi ligji i ri që i jep kompetenca ekstra forcave policore, të cilat mund të ndalojnë dhe të ndjekin penalisht këdo që shkel kufirin jashtë pikave të kontrollit të caktuara nga Budapesti.

Hungaria thotë se me këto masa synon të dekurajojë mijëra emigrantët që përdorin territorin e saj si tranzit për në vendet e tjera të BE-së. Por lëvizja ka arritur gjithçka, përveçse të ndalojë fluksin. Të hënën një numër rekord prej 9380 emigrantësh u futën në territorin hungarez, ndërsa në dy ditë autoritetet vendase kanë ndaluar dhe burgosur për shkelje të paligjshme të kufirit mbi 360 emigrantë.

Artikulli paraprakAustralia nis sulmet ajrore në Siri
Artikulli vijuesCristiano Ronaldo: Ky është vetëm fillimi