Strehimi i më shumë se 160 refugjatëve sirianë në Konicë, në Greqi, i ka bërë më të besueshëm zërat se, Shqipëria do të shndërrohet shpejt në tranzit të rrugëtimit të tyre drejt vendeve të BE-së.
Refugjatët u transportuan në Konicë me autobusë nga porti i Pireut, për shkak të mbipopullimit dhe si pasojë e mbylljes së kufijve nga Maqedonia.
Shqipëria shihet kështu si vendi i radhës, që do të preket nga kriza. Mediat greke njoftojnë se, refugjatë janë pajisur me harta të Shqipërisë dhe pritet që t’i drejtohen kufirit të vendit tonë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, Shqipëria nuk do të hapë dyert, por as do të ngrejë mure.
Policia shqiptare ka shtuar forcat e policisë në kufi. 20 efektivë të policisë italiane kanë mbërritur në vendin tone, për të ndihmuar policinë kufitare në menaxhimin e situatës.
Italia po asiston Shqipërinë për ta ndalur fluksin në kufirin grek, pas informacioneve se, me ndihmë të trafikantëve refugjatët mund t’u drejtohen brigjeve të saj.
“The Economist” shkruante pak ditë më parë se, mafiozët shqiptarë po kërkojnë të blejnë gomone në Itali, për të trafikuar nga Shqipëria refugjatët sirianë, njësoj si në vitet ‘90 me refugjatët kurdë.