Refugjati kap plaçkitësin në market në Itali, shpërblehet me azil

Një egjiptian që po priste të deportohej në vendlindjen e tij nga Italia, ka marr lajmin ndoshta më të mirë në jetën e tij. Kjo pasi ai kishte intervenuar në një plaçkitje të armatosur në një market në Itali dhe pas këtij rasti, shteti i ka dhënë atij azilin politik.

Meqenëse egjiptiani 29 vjeç po qëndronte në Itali ilegalisht dhe rrezikonte të dëbohej menjëherë porsa të kapej nga policia, ai kishte pritur policinë derisa po e mbante të bllokuar një plaçkitës në tentativë në një supermarket në Torino. Por, ndershmëria dhe trimëria e tij u shpërblyen pasi që policia në Torino vendosi të mos e dëbonte atë. Në vend të kësaj, shteti i dha vizë një-vjeçare pune, që do të thotë se ai është i lirë të kërkojë punësim legjitim, raporton “Independent”.

E tërë ngjarja, e ndodhur më 12 janar, është kapur nga kamerat e sigurisë së marketit të cilat më pas i ka publikuar policia në Torino:

Në video shihet se si refugjati egjiptian po priste në radhë në një market të rrjetit Lidl për të paguar disa zarzavate. Para tij në radhë ishte Alfredo Vaira, një 52 vjeçar i papunë pa ndonjë të kaluar kriminale. Me fytyrën e tij të mbuluar me syze dielli dhe me një kapelë bejsbolli, Vaira qetësisht nxjerr nga xhepi një thikë 20 centimetërshe ku më pas i kërkon arkëtares ta zbrazë arkën. Sipas asaj që shihet në video, blerësit tjerë nuk ishin në dijeni se çfarë po ndodhte, por jo edhe refugjati i cili e pa se çfarë po ndodhte që nga fillimi, transmeton Koha.net.

Me rreth 700 euro të futura në një qese plastike, plaçkitësi nisi të largohej. Por refugjati veproi me shpejtësi duke e goditur atë me krahë, e çarmatosi atë dhe e mbajti të bllokuar derisa arriti policia.

Ai, jo vetëm se e rrezikoi jetën e tij, por edhe mundësinë e qëndrimit në Itali. “Jam i vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të mia”, ka thënë ai teksa policia mbërriti në vend të ngjarjes.

Por, në fund, pasojat ishin krejt ndryshe. Duke e njohur guximin dhe dëshirën e tij që të kontribuojë në komunitetin lokal në mënyrën më besnike të mundshme, policia e dërgoi atë menjëherë në zyrën e imigrimit në Torino ku i dhanë lejen e punës mbi bazën e azilit politik.

Momentalisht, në Itali janë rreth 100,000 refugjatë në kërkim të azilit.

Artikulli paraprakAustrali: Shqiptarët vodhën 600 mijë Dollarë me vizë turistike
Artikulli vijuesZbulohet numri më i madh i rëndomtë matematikor