Restaurimi rrezikon vlerat e Hamamit?

Faza e tretë e punimeve për renovimin e Hamamit të Madh të Prishtinës është ndalur përkohësisht, pasi ekspertë të Institutit të Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, kanë kërkuar një gjë të tillë nëpërmjet një raporti të hartuar pas vizitës që ky institucion i ka bërë objektit 500-vjeçar, të enjten në mesditë.

Komuna e Prishtinës ka urdhëruar ndaljen e punimeve. Hapësira e jashtme dhe e brendshme e Hamamit, sipas këtij raporti që e ka siguruar “Koha Ditore”, del që po suvatohen me llaç çimentoje përdorimi i të cilit nuk lejohet në restaurimin e monumenteve.
Raporti i nënshkruar nga drejtori i këtij Instituti, Haxhi Mehmetaj, i është dërguar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Komunës së Prishtinës. Kjo e fundit është edhe bartëse e projektit të renovimit të Hamamit, i cili ka nisur qysh në vitin 2007. Kompania e cila po kryen punimet e fazës së tretë dhe Komuna e Prishtinës thonë se nuk ka kurrfarë shkeljesh dhe se gjithçka po punohet sipas projektit të hartuar në vitin 2009.
Për ekspertët e trashëgimisë, alarmojnë se nëse vazhdohet me ritmin e njëjtë të punimeve, Hamami rrezikon të humbasë vlerat e trashëgimisë kulturore. E kësisoj të shkojnë huq edhe 750 mijë eurot, që janë shpenzuar deri më tani për renovimin e Hamamit.
Mesditën e së enjtes, Mehmetaj së bashku me një grup ekspertësh parë nga afër punimet në Hamamin e Madh të Prishtinës. “Kemi vërejtur që muret e hamamit nga ana e brendshme dhe nga ana e jashtme janë duke u suvatuar dhe ‘arnuar’ më llaç çimentoje (betoni) gjë që është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe ligjet për monumente të trashëgimisë kulturore”, thuhet në raport.
Mbikëqyrës i punimeve të Hamamit të Madh të Prishtinës është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Agim Gërguri, drejtor i IMMK-së, nuk ka dashur të japë asnjë koment. “Nesër (e premte v.j) do të dalim me një qëndrim pasi të analizojmë punën. Duhet të shikohet projekti dhe të krahasohet me punën e bërë”, ka thënë Gërguri. /koha/kohaislame

Artikulli paraprak10 mënyra për menaxhim të frytshëm të kohës në punë
Artikulli vijuesPo fillon reforma shëndetësore në Kosovë dhe Shqipëri, Kosovë: implementimi i harduerit