Riformatohet FK-ja

0
171

Me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë ndryshohet edhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati ka bërë me dije për “Epokën e Re”, se grupet e ekspertëve kanë filluar rishikimin e strategjisë së kësaj force, e cila përfshinë strukturën dhe misionin e ardhshëm.

“Kemi filluar rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë në Republikën e Kosovës. Konkretisht FSK-ja është duke e rishikuar strategjinë e saj, duke përfshirë strukturën dhe misionin e ardhshëm. Grupet punuese janë duke punuar në këtë drejtim. Nga fundi i këtij viti do të dalim me rekomandimet kryesore se çfarë kapacitetesh ka FSK dhe cilat kapacitetet duhet t’i ketë në të ardhmen”, ka thënë Kastrati.

Në këtë kontekst, Kastrati ka pohuar se në përbërje të këtyre grupeve punuese janë të angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Komandanti i FSK-së ka thënë se pas përfundimit të procesit të pavarësisë së mbikëqyrur pret nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësi të reja, të cilat janë në interes të FSK-së dhe të qytetarëve.

“Presim nga Qeveria e Kosovës se cilat udhëzime dhe detyra do të na japë. Unë si komandat i FSK-së jam i gatshëm t’i kryej të gjitha obligimet me të cilat ngarkohem, përfshirë edhe draftimin e një force ushtarake. Detyrë jona është t’i propozojmë Qeverisë së Kosovës se çfarë strukture duhet të ketë në të ardhmen FSK-ja”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se KFOR-i edhe më tutje do të vazhdojë të veprojë dhe do të merret me ofrimin e sigurisë në Kosovë. /Telegrafi/kohaislame/