Rihapja e Xhamisë historike teston tolerancën e Serbëve të Bosnjës

Rihapja e madhe e një xhamie historike të kohës otomane në Banja Luka, e restauruar pasi u shkatërrua nga forcat serbe gjatë kohës së luftës, do të tregojë se sa i përkushtuar ndaj pajtimit është entiteti serb i Bosnjës.

Autoritetet e entitetit të mbizotëruar nga serbët në Bosnje, Republika Srpska po finalizojnë përgatitjet për atë që është vendosur të jetë një nga ngjarjet kryesore në vend në vitin 2016 – rihapja ceremoniale e xhamisë së rindërtuar Ferhadija të shtunën, e cila ishte një nga monumentet e Banja Lukës për shekuj me radhë para se të rrafshohej gjatë luftës.
Xhamia e Ferhat Pashës, e ndërtuar në vitin 1579, ishte një nga arritjet më të rëndësishme arkitekturore osmane në Bosnjë e Hercegovinë, por u rrafshua me tokën nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1993 pavarësisht se po mbrohej nga UNESCO.

Ministri i brendshëm i Republikës Srpska, Dragan Lukacc, tha se eventi i rihapjes duhet të promovojë pajtimin.

“Ne duhet të dërgojmë një mesazh të paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës për të treguar se Banja Luka është një vend ku njerëzit mund të jetojnë”, tha Lukacc.

Masat e sigurisë do të jenë të forta për rihapjen, e cila do të ndiqet nga personalitete të ndryshme të Bosnjës dhe ato ndërkombëtare, përfshirë kryeministrin turk Ahmet Davutoglu. udhëheqësit kroatë dhe serbë të cilët janë gjithashtu të ftuar.

Policia tha për BIRN se pothuajse të gjithë zyrtarët e tyre në zonën e gjerë të Banja Lukës do të jenë në detyrë gjatë fundjavës, dhe do të ketë ndalim të shërbimit të alkoolit në restorante, bare dhe kafene pranë xhamisë Ferhadija.

Policia gjithashtu tha se të gjitha agjencitë e tjera të sigurisë në vend po marrin pjesë në përgatitje, përfshirë edhe Drejtorinë për Bashkërendimin e Organizmave Policore, policinë kufitare, Agjencinë e Hetimit dhe Mbrojtjes, Agjencinë e Sigurimit të Inteligjencës, Entitetin e Federatës së Ministrisë së Brendshme dhe ministritë kantonale të brendshme.

Imami i Banja Lukës Osman Kozliç tha se ai donte të bashkonte përfaqësues të të gjitha feve në Bosnjë dhe Hercegovinë për të treguar se qyteti është mbi ata që e shkatërruan Ferhadijan gjatë luftës.

“Ne presim të paktën 20.000 njerëz, përfshirë politikanë të nivelit të lartë, të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes,” tha Kozliç.

E rrafshuar dhe e shkatërruar

Edhe pse Banja Luka pa pak luftime gjatë luftës boshnjake, të 16 xhamitë në qytet, nga të cilat Ferhadija ishte ajo më e famshmja, u shkatërruan.

Milicët serbë e hodhën në erë Xhaminë Ferhadija mbrëmjen midis 6 dhe 7 majit 1993. Minarja i mbijetoi shpërthimin e parë, por u rrafshua më pas në tokë.

Pjesa më e madhe e gërmadhave u çuan më pas në vendgrumbullimin e mbeturinave në qytet, ndërsa disa gurë dhe detaje dekorative u shtypën dhe u përdorën për të mbushur vendin. Vendi i niveluar u shndërrua në një parking.

Sipas ekspertëve, prishja e xhamisë donte një sasi shumë të madhe eksplozivi si edhe koordinim të gjerë të njerëzve dhe makinerive, dhe shumë njerëz janë të bindur se shkatërrimi i xhamisë Ferhadija dhe xhamive të tjera u orkestrua nga liderët e kohës së luftës në Banja Luka dhe Republikën Srpska.

Radoslav Brdjanin, një figurë e rëndësishme politike gjatë kohës së luftës në Banja Luka, u dënua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për pjesëmarrjen e tij në organizimin e shkatërrimit të pronës myslimane, përfshirë xhami, dhe u dënua me 30 vjet burg.

Trazira dhe rindërtim

Përpjekjet e para për të rindërtuar xhaminë Ferdahija u shoqëruan me dhunë.

Pas përfundimit të luftës, përfaqësues të Komunitetit Islam në Banja Luka kërkuan dhe në vitin 2001 morën një leje ndërtimi për rindërtimin e xhamisë, por kjo shkaktoi rezistencë të fortë nga serbët e Bosnjës.

Ceremonia në të cilën u vendos guri i parë i themelit për rindërtimin e xhamisë u zhvillua në tetë vjetorin e shkatërrimit të saj, më 7 maj të vitit 2001, por u pasua nga trazira nga nacionalistët serbë.

Një grup prej rreth 1,000 ekstremistësh morën pjesë në dhunë, duke hedhur gurë, duke djegur automjete, qilima lutjesh, një furrë buke në pronësi të një familjeje boshnjake dhe flamuri në qendrën vendase islamike, duke ngritur në vend të tij flamurin serb të Bosnjës.

Rreth 250 persona u bllokuan në qendrën islame, përfshirë kreun e OKB-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, Jacques Klein, dhe ambasadorë nga Britania, Suedia dhe Pakistanit të cilët ishin liruar përfundimisht nga policia serbe e Bosnjës.

Deri në fund të trazirave, një boshnjak ishte vrarë dhe më shumë se 30 persona ishin lënduar.

Data 7 maj u zgjodh më pas si Dita zyrtare e Xhamive në Bosnje dhe Hercegovinë.

Disa ditë më vonë, ceremonia e vendosjes së gurit të parë u realizua me sukses, por në fshehtësi dhe nën masa të rrepta sigurie.

Ndërsa situata në Republikën Srpska dhe në të gjithë vendin është përmirësuar gradualisht që nga ajo kohë, dhe pse nuk ka indikacione se rihapja e xhamisë mund të shkaktojë dhunë nacionaliste, policia ka thënë se do të veprojë për të parandaluar çdo përsëritje të mundshme.

Pas vitit 2001, rindërtimi i xhamisë u vonua për shkak të kërkesave të punës rindërtuese për ta ribërë atë siç ishte më parë, si edhe nga kostot e larta – të cilat fillimisht u vlerësuan të arrinin deri rreth gjashtë milionë euro.

Çështjet financiare e mbajtën projektin derisa Komuniteti Islamik i Bosnjës nënshkroi një kontratë me Agjencinë Ndërkombëtare Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, e cila financoi pjesën e mbetur të punës.

Ajo përfundoi në vitin 2015 dhe më pas hapja e madhe u planifikua për datën 7 maj të këtij viti, e cila do të përkojë edhe me përvjetorin e prishjes së saj gjatë kohës së luftës.

Gjatë punës së rindërtimit, rreth 70 për qind e fragmenteve origjinale u gjetën dhe u ndërtuan në xhami për të ruajtur sadopak nga autenticiteti i saj.

Qilima dhuratë

Liderët politikë të Republikës Srspka po shpresojnë që rihapja e xhamisë Ferhadija do të ndryshojë imazhin e tyre nacionalistë dhe do t’i tregojë ata në një dritë më pozitive.

Analistët sugjerojnë se kjo është arsyeja pse ata janë po aq të etur sa besimtarët myslimanë që ceremonia e rihapjes të shkojë pa probleme.

Tanja Topiç, një analiste politike në Fondacionin Friedrich Ebert, tha për BIRN se ceremonia do të dërgonte “një mesazh pozitiv që ofron dorën e pajtimit”.

“Por në të njëjtën kohë, ajo ngre një pyetje të madhe: nëse Banja Luka e ka pranuar gradualisht shkatërrimin e Ferhadijës dhe nëse e ka pranuar gradualisht atë ngjarje të tmerrshme që ndodhi në vitin 2011,” shtoi Topiç.

Liderët politikë serbë të Bosnjës po përpiqen shumë për t’i bindur njerëzit se sot Banja Luka nuk është siç ishte në vitin 1993 apo në vitin 2001.

Edhe presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i njohur për retorikën e tij nacionaliste dhe nismat pro-serbe, është treguar i moderuar kur i adresohet kësaj çështje.

Në muajt e fundit, ai ka takuar shpesh anëtarë të komitetit organizator për ceremoninë e rihapjes dhe ka shprehur shpresën se ajo do të kalojë pa ndonjë problem.

“Është marrë çdo masë që kjo ceremoni të kalojë pa probleme, e sigurt,” tha Dodik pasi vizitoi Ferhadijën në fund të prillit, vetëm disa javë para rihapjes.

Dodik nuk shkoi duarbosh në xhami. Ai slli qilima, të cilët tradicionalisht shtrohen në të gjithë katin e ndërtesës.

Ai theksoi gjithashtu se qeveria e Republikës Srpska kishte ndihmuar financiarisht në restaurimin e xhamisë dhe kështu kishte treguar se ajo kujdesej për monumentet fetare dhe kulturore.

Edhe pse ai e ka kritikuar Turqinë më shumë se një herë se ka ndërhyrë në politikën e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës në anën boshnjake, me këtë rast ai tha se kryeministri turk Davutoglu ishte mëse i mirëpritur në Banja Luka.

“Ai ka mendimin e tij, unë kam timin. Besoj se do të kemi një mundësi për një bisedë zyrtare këtu, në Banja Luka. Turqia është një vend i rëndësishëm dhe i madh, dhe kjo duhet respektuar,” tha Dodik gjatë vizitës së tij në xhami.

Përveç ceremonisë zyrtare, në Banka Luka do të organizohen shumë evente të tjera para rihapjes së Ferhadijas.

Një nga më të rëndësishmet është një event që promovon një ribotim të një përkthimi serb të Kuranit, i shkruar në alfabetin cirilik. Përkthyesi Mico Ljubibratiç e realizoi këtë përkthim të parë të librit të shenjtë mysliman në Ballkan 120 vjet më parë dhe ai është i pari dhe i vetmi në alfabetin cirilik.

Imami i Banja Lukës Kozliç tha ndërkohë se beson që rihapja ëhstë e rëndësishme edhe për njerëzit e feve të tjera si edhe për popullsinë myslimane të qytetit.

“Shumë të krishterë ortodoksë me të cilët kam biseduar në Banja Luka më kanë thënë se Ferhadija është pjesë e të kaluarës së tyre. Duhet ta ruajmë këtë ndjenjë dhe të mbrojmë dhe zhvillojmë kulturën tonë të përbashkët,” tha ai.

Artikulli paraprakOrganizata terroriste fantazmë trazon Gjyqësorin Kosovar
Artikulli vijuesAksident në magjistralen Prishtinë – Ferizaj