Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka pohuar se Qeveria e Kosovës do të rrëzohet atëherë kur gjërat nuk shkojnë mirë, ndërsa ka refuzuar të flas rreth akuzave që deputeti i Nismës Milaim Zeka, i adresoi tek deputetët e AAK-së.
Sipas Zekës, deputetët e Aleancës nuk po e ndihmojnë kryeministrin Haradinaj për çështjen e Demarkacionit, dhe me këto veprime ata do ta rrëzojnë qeverinë Haradinaj.“Qeveria do të rrezohet në momentin kur gjërat nuk shkojnë mirë, unë po mendoj që për momentin gjërat janë duke shkuar mirë, qeveria është duke punuar mirë, dje ka qenë edhe vizita e kryeministrit të Malit të Zi, ta janë dakorduar se si ta zgjedhin çështjen e demarkacionit”, tha Kadrijaj në deklaratën e dhënë për “Gazeta Blic”.
Ndërsa, Zeka gjatë ditës së djeshme është shprehur i bindur se këto sjellje të deputetëve të AAK-së do ta rrezojnë qeverinë Haradinaj.
“Deputetët e AAK-së, në vend se t’i ndihmojnë kryeministrit të tyre, edhe kryeministrit tim, që të dalin nga kjo krizë, ata nuk po e dinë se demarkacioni mund ta rrëzojë Qeverinë. Demarkacioni do ta rrëzojë Qeverinë, në qoftë se nuk kalon. Prandaj këta duhet të ndërmarrin një iniciativë për të gjetur ndonjë zgjidhje”, ka deklaruar Zeka për media.
Pro gjetjes së një marrëveshje për demarkacionin janë shprehur kryeministri malazez Dushko Markoviq, dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.Pas takimit që zhvilluan dje Markoviq dhe Haradinaj, ata pohuan se dy qeveritë do të diskutojnë për demarkimin e kufirit.“Gjithsesi e kemi hapur edhe këtë çështje dy kryeministrat dhe dy qeveritë duhet të diskutojnë për këtë çështje. Kur është fjala për Malin e Zi kjo çështje ka përfunduar me ratifikimin e kësaj marrëveshje në kuvend, ndërkaq Kosova dihet se ende nuk e ka bërë këtë.
Mali i Zi si fqinjë i mirë do që Kosova të arrijë një pajtueshmëri për këtë çështje, ne kemi biseduar për këtë çështje si miq dhe Kosova në këtë mënyrë të përfitojë një mundësi të mirë për integrime evropiane”, ka thënë Markoviq.
Në anën tjetër kryeministri Haradinaj ka theksuar se ekziston vullnet nga Mali i zi për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy vendet, për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi./Gazeta Blic./