Rreziku i pijeve energjike

Pijet energjike janë shndërruar ne pijet më të preferuara të të rinjve dhe fëmijëve. Por, familjet nuk kanë asnjë informacion rreth sigurisë së këtyre pijeve dhe nuk e kuptojnë që fëmijët përballen me rrezikun e tyre çdo ditë.

Në pijet energjike ndodhet kafeinë dhe kafeina ka veçori diuretike, bëhet e ditur në një lajm të publikuar në “FoxNews”. Kafeina e një pjesë të vogël të këtyre pijeve është e barabartë me kafeinën që përmban një filxhan kafe dhe krahas kësaj këto pije mund të dehidratojnë trupin.
Studimet e realizuara kanë treguar se tek fëmijët që konsumojnë kafeinë në sasi të pranueshme para aktivitetit fizik vihet re një rritje e presionit të gjakut.
Specialistët janë të mendimit se pijet energjike nuk janë të sigurta dhe nuk ndikojnë në rritjen e performancës së personit. Në një ushqyerje të shëndetshme uji është pija më e mirë, teksa edhe zarzavatet me gjethe jeshile po ashtu janë një element i rëndësishëm i kësaj ushqyerjeje. Sepse këto zarzavate përmbajnë sasi të lartë magnezi dhe kjo mundëson relaksimin e muskujve. Në këtë mënyrë do të minimizohen spazmat e zemrës dhe krampet pasi përfundojmë sportin.
Konsumimi i lëngut të portokallit apo fetave të portokallit me ujë është një alternativë e mirë kundër pijeve energjike. Lëngu i portokallit rrit qarkullimin e gjakut në muskuj. Dhe këtë nuk mund ta bëjë asnjë pije energjike.
Rreziku i pijeve energjike nuk qëndron vetëm tek kafeina. Pijet energjike përmbajnë edhe shumë sheqer e nxitës bimorë. Sipas studimeve, tek fëmijët të cilët konsumojnë pije energjike mund të shfaqen probleme si pagjumësia, lagia në shtrat etj. Krahas kësaj fëmijët që konsumojnë më shumë se dy pije energjike në ditë mund të tregohen më agresivë, të shqetësuar dhe tensionuar.

/Aisa Kokiçi/dritaislame/kohaislame

Artikulli paraprakJacobson: Prishtina e Beogradi të caktojnë temat për takimin e nivelit të lartë
Artikulli vijuesVarësia nga interneti dëmton trurin e njeriut