Kosovë: Matura digjitale do të fillojë të pilotohet sivjet

Ministria e Arsimit ka njoftuar se ka kontraktuar një kompani austriake për të realizuar projektin e digjitalizimit për provimin e maturës shtetërore.

Kompania e njohur austriake për teknologji BIT, ka fituar të drejtën për ta zbatuar projektin e digjitalizimit të maturës në Kosovë. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se është një punë shumë e madhe, pasi është paraparë vendosja e serverëve, pajisja nëpër shkolla me teknologji informative, ose krijimi i qendrave të veçanta.
Udhëheqësi i divizionit për vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën se, sipas planit dinamik, matura digjitale do të fillojë të pilotohet këtë vit.

“Një pjesë kemi planifikuar që në tetorin e 2015-tës të bëjmë pilotimin e digjitalizimit me një numër të vogël të nxënësve, për të parë se çfarë funksionon e çfarë jo. Më pas në fillim të 2016-të po ashtu kemi një pilotim me 15-20 për qind të nxënësve, ndoshta jo me maturantë, për të parë se si është forma digjitale dhe sa janë nxënësit për të shfrytëzuar kompjuterin për të qenë të saktë në zgjidhjen e problemit të detyrave”.
Nëse rregullohet infrastruktura digjitale, sipas Kadriut, në vitin 2017-2018 do të fillojë zbatimi i maturës digjitale. Ai tha se ky projekt mundëson eliminimin e shumë problemeve të deritashme në testin e maturës.

“Digjitalizimi do të japë më shumë mundësi edhe për nxënësit, që të tregojnë atë që dinë vërtetë ta japin dhe të eliminojmë shumë çështje. Tani në shekullin 21 kërkesat janë pikërisht për përdorimin e teknologjisë. Kërkesë e jona ka qenë edhe në takimin me austriakë që rezultati të jetë automatik”.
Kosova është shteti i parë në rajon që fillon me maturën digjitale. Për modernizimin e sistemit arsimor në Kosovë, përmes mësimit elektronik dhe digjitalizimit të Provimit të Maturës, janë ndarë 5 milion euro nga Qeveria e Kosovës.

Artikulli paraprakFord Mustang GT tani prodhon 1000 kuaj-fuqi
Artikulli vijuesDrejtshkrimi i gjuhës shqipe me shfletuesin Chrome