Rritja e përdorimit të pajisjeve mobile, ul kërkimin nga kompjuterët

Në një kohë kur e gjithë bota po drejton vëmendjen tek pajisjet mobile, vijnë edhe ndryshimet e para prej saj.

Kërkimi në ueb përmes desktopit pësoi rënie në shtator të këtij viti për herë të parë që prej 2006-ës, atëherë kur Macquarie Group filloi të mbante rekorde mbi këto statistika. Të dhënat për shtatorin treguan se kërkimi ka rënë me 4%, vit pas viti.

Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është patjetër kërkimi përmes pajisjeve mobile, thuhej në raportin e Macquarie. Të gjitha këto rezultate kanë një farë kuptimi logjikisht. Në ditët e sotme, ka më pak gjasa që ne të kërkojmë një vendndodhje nga kompjuteri para se të dalim nga shtëpia.

Në vend të kësaj, kemi opsionet që na tregojnë rrugën që duhet të ndjekim duke na udhëzuar për çdo kthesë që duhet të marrim gjatë kohës që jemi në ecje. E njëjta gjë ndodh për shembull edhe me kërkimin e një restoranti. Shpeshherë duam të shkojmë në një restorant pasi kemi dalë nga shtëpia, prandaj kërkojmë në aplikacionet mobile.

Informacione të rëndësishme gjenden edhe në mënyra të tjera

Edhe motorët e kërkimit jo tradicionalë po pësojnë rritje: mund të kërkojmë për rroba në Fab.com në vend të Google, biletën e avionit në Hipmunk, apo adresën e e-mailit të një miku në Facebook.

Janë pikërisht këto arsye që çojnë në zvogëlimin e kërkimit përmes desktopit. Prandaj edhe kompani si Google apo Microsoft po shpenzojnë shuma të mëdha në aplikacionet mobile të kërkimit.

Deri në fund të këtij viti, parashikohet që 1/3 e trafikut të kërkimit në internet do të realizohet nga smartfonët apo tabletët. Në disa kategori, si p.sh kërkimi i një restoranti, pajisjet mobile janë më të përdorura.

Ndërsa në kategoritë e tjera, si elektronikë, financë, automobila apo produktet e bukurisë, kërkimi përmes pajisjeve mobile është në rritje të shpejtë. Google vazhdoi të mbante vendin e parë në listën e motorëve të kërkimit për shtatorin, me një përqindje prej 66.7. Bing-u i Microsoft-it arriti përqindjen më të lartë të të gjitha kohërave, 15.9.

Ndërsa humbësi më i madh i muajit ishte Yahoo, kërkimet përmes së cilit janë ulur me 25% këtë vit. (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakStërvituni nga pak
Artikulli vijuesKompania Dell vjen me një produkt të ri