Rusia premton tërheqjen e shpejtë nga Siria

Rusia do ta tërheqë shumë shpejt pjesën më të madhe të kontigjentit të saj ushtarak nga Siria, me urdhër të presidentit Vladimir Putin, dhe kjo do të ndodhë gjatë dy ose tri ditëve të ardhshme, deklaroi sot komandanti i forcave ajrore ruse, Viktor Bondarev, transmeton REL.

“Mendoj se tërheqja do të përfundojë shumë shpejt. Për dy ose tri ditë ne do të përfundojmë misionin e urdhëruar nga presidenti Putin dhe ministri i Mbrojtjes, Sergei Choigu”, deklaroi gjenerali Bondarev për të përditshmen ruse ”Komsomolskaja pravda”.

Tërheqja e pjesshme e trupave ruse nga Siria, e njoftuar të hënën nga presidenti rus, Vladimir Putin mbetet, për momentin, shumë e kufizuar, tha dje një zëdhënës ushtarak amerikan.

“Nuk kemi parë një reduktim domethënës të kapaciteteve luftarake”, deklaroi koloneli Steve Warren, zëdhënës ushtarak, me anë të një videokonference shtypi nga Bagdadi.

“Kapacitetet luftarake në terren mbeten statike, ndërkohë që është kufizuar pak kapaciteti ajror, vetëm kaq”, theksoi Warren.

Artikulli paraprakTë kesh gjithë web-in në kokë, ja sa informacion mund të ruajë truri njerëzor
Artikulli vijuesMashAllah – Binjaket më të dashura të Instagramit (FOTO)