Rusia: Rebelët sirianë, disa herë në Moskë; FSA: Mos na bombardoni

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse bëri të ditur gjatë së hënës se delegacione të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) të mbështetur nga Perëndimi kanë vizituar disa herë Moskën, teksa kjo e fundit ka përshkallëzuar përpjekjet për të zgjidhur krizën në Siri. Lajmi raportohet nga agjencitë ruse të lajmeve.

Sipas tyre, Kremlini ka njoftuar gjithashtu se Presidenti Vladimir Putin, një aleat i homologut të tij sirian, Bashar al-Assad, ka biseduar në telefon për të dytën herë në 5 ditët e funit me Mbretin Salman të Arabisë Saudite, një vend që ka mbështetur kundërshtarët e qeverisë së Damaskut.

Fuqitë perëndimore akuzojnë Rusinë se po përdor bombardimet ajrore të ushtrisë së saj ndaj grupeve rebele të mbështetura nga Perëndimi, siç është edhe FSA-ja, që kur nisi ndërhyrjen e saj ushtarake më 30 shtator, duke e quajtur atë si një fushatë kundër terrorizmit.

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Mikhail Bogdanov, duke iu përgjigjur një pyetje nëse ndonjë grup i Ushtrisë së Lirë Siriane ka vizituar Moskën gjatë javës së kaluar, është cituar nga agjencia ruse “Interfax” të ketë thënë se “po, ata ishin këtu, përfshi edhe vizitën gjatë kësaj jave”.

“Ata kanë qenë këtu gjatë gjithë kohës, por janë njerëz të çuditshëm. Dikush largohet, dikush vjen, por të gjithë thonë se janë përfaqësues të Ushtrisë së Lirë Siriane”, tha ai.

Rusia duket të ketë ndryshuar qëndrim ndaj rebelëve të FSA-së, duke thënë gjatë së shtunës se Forcat Ajrore të saj, të cilat po bombardojnë objektiva terroriste në Siri prej 30 shtatorit, do të ishin të gatshme të ndihmonin edhe kryengritësit, nëse e dinin se ku do të gjendeshin në terren.

Rebelët, skeptikë: Rusia të ndalë bombardimet ndaj nesh

Ndërkohë, një grup rebelësh me lidhje me Ushtrinë e Lirë Siriane bënë të ditur gjatë kësaj të hëne se ishin skeptikë në lidhje me propozimin rus për t’i ndihmuar ata, dhe se Moska duhet të ndalë njëherë e mirë bombardimet ndaj rebelëve dhe civilëve, si dhe të tërhiqet nga mbështetja për Presidentin Bashar al-Assad.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të shtunën se Forcat Ajrore ruse janë të gatshme të ndihmojnë opozitën “patriotike” siriane. “Fjalët e tyre nuk janë ashtu si dhe veprimet. Si mund të flasim me ta, ndërkohë që janë duke na bombarduar?”, është shprehur Issam al-Rayyes, zëdhënës i Frontit Jugor të Ushtrisë së Lirë Siriane.

 

Artikulli paraprakTërmeti në Afganistan, zgjerohen kërkimet (Foto)
Artikulli vijuesRusia mohon sulmet ndaj civilëve në Siri