Moska nuk do të mbështesë kërkesën e Kosovës për pranim në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, ka thënë Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
“Qëndrimi ynë për Kosovën nuk ka ndryshuar. Ne shohim përpjekje të Prishtinës për t’u pranuar në organizata dhe sindikata ndërkombëtare, duke besuar se kjo do t’i ndihmojë njohjes ndërkombëtare të sovranitetit të saj. Me sa duket, aspiratat për FIFA-n janë një përpjekje e saj, por Rusia nuk do ta mbështesë”, ka thënë Zakharova.
FIFA vendos sot për pranimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.
FIFA zhvillon ditën e dytë të kongresit në Meksiko Siti dhe Kosova është pika e 15-të në rend të ditës.
Kosova, javën e kaluar, është pranuar në Federatën Evropiane të Futbollit, duke u kualifikuar kështu edhe për FIFA.
Për t’u bërë anëtare e organizatës botërore të futbollit, Kosovës i duhen së paku 105 vota nga 209 sa është totali i tyre.
Nëse pranohet, kombëtarja e Kosovës do të ketë të drejtë të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror të Futbollit më 2018, që do të mbahet në Rusi.