Rusia zgjeron influencat

Administrata Trump ende nuk e ka përvijuar qartë linjën e saj të politikës së jashtme, por ngadalë e pa zhurmë Rusia është duke e zgjeruar ndërkohë sferën e saj deri vonë të tkurrur të influencës, e për këtë siç kujton VOA, po shfrytëzon pikërisht të çarat e pranisë amerikane në arenën ndërkombëtare.

Ndërhyrjet e Putinit në Ukrainë e Siri ishin strategjike: një demonstrim force bashkuar me përpjekjen për të joshur aleatë të mundshëm, përfitimet e të cilëve shpreson t’i shohë më vonë. Vëmendja, vëren Zëri i Amerikës, është përqëndruar në mënyrë të veçantë tek shtetet që kanë lidhje të lëkundura me Uashingtonin, ato me pozita të favorshme gjeografike ose vendet me burime të bollshme natyrore.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ndikimi i Rusisë që rivalizonte me Amerikën gjatë Luftës së Ftohtë, u zbeh në mënyrë drastike. Por Putini është përpjekur prej kohesh t’ia rikthejë gradualisht shkëlqimin e vjetër të superfuqisë botërore. Pas Sirisë, ku ndërhyrja e saj u provua vendimtare pasi i dha një kthesë të menjëhershme situatës duke e kaluar në favor të Presidentit Bashar Al Assad, Rusia tani po përpiqet të luaje rol edhe në Afganistan.

Në vendin që mbajti dikur të pushtuar për një dekadë, ajo sot kërkon të shfaqet si mbrojtëse e paqes. Moska ka kultivuar gjithashtu marrëdhënie me Libinë e vazhdon të akuzohet për ndërhyrje politike kudo në Ballkan, ku sipas disa pretendimeve u është kundërvënë interesave amerikane, duke i sabotuar ato në disa raste.

/ Top Channel

Artikulli paraprakTë mësojmë nga Bill Gates
Artikulli vijuesHashim Thaçi s’e thotë asnjë fjalë për krijimin e ushtrisë