S’ka pensione zvicerane për kosovarët

Çështja e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore Zvicër-Kosovë e preokupon “St. Galler Tagblatt” në numrin e sotëm. Zvicra nuk e zbaton Marrëveshjen e trashëguar nga e kaluara me Kosovën, sepse ajo nuk ka institucione të mjaftueshme për ta administruar atë. Ky, sipas medies, është arsyetimi zyrtar. Ndërkohë ata që vuajnë janë njerëzit e thjeshtë, përcjell DialogPlus.ch.
 
Salih Zeqiri nga Busavata ka punuar në vinç, si “Kranführer”, në Aargau. Në 2006-ën ai del në pension të parakohshëm dhe nga fondacioni “Far” ka marrë një pension prej 3,900 frangave. Zeqirit kjo i kishte mjaftuar, dhe ai e lëshon Zvicrën e vendoset definitivisht në Kosovë. Më 1 prill 2010 Zvicra e anulon Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Kosovën dhe Salih Zeqirit i ndërpritet pensioni. Në një situatë të tillë, Zeqiri kërkon t’i paguhen dhe i merr kontributet e tija në fondin e Sigurimit të Pleqërisë. “Kaq”, shkruan gazeta.
 
Dhe Salih Zeqiri nuk është rasti i vetëm. Osman Osmani sekretar sindikal për emigracionin te Unia dhe kosovar mund t’i referojë gazetës për duzina rastesh të ngjashme. Sipas Osmanit, për më tepër, numri vjen duke u rritur, sepse emigrantë kosovarë në Zvicër dalin në pension vazhdimisht. Të prekur nga mosmarrëveshja janë sidomos pensionistë që dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Osmani thekson faktin që kosovarët janë të vetmit, për të cilët nuk vlen marrëveshja e trashëguar me ish Jugosllavinë. Arsyeja e Zvicrës: Strukturat dhe instancat e shtetit të ri nuk janë të denja për një Marrëveshje për Sigurimet Shoqërore.
 
Harald Sohns nga Enti Federal për Sigurimet Shoqërore shprehet: “Strukturat dhe instancat përkatëse në të vërtetë ekzistojnë pjesërisht, por jo në masën e mjaftueshme. Nga anulimi i Marrëveshjes ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës ka pasur kontakte të ndërsjella, por në rrafshin e administratës, ka thënë ai. Negociata zyrtare për të arritur një Marrëveshje nuk ka, ka pranuar zyrtari i Entit.
 
Ndërkohë, me çështjen e pensioneve kosovare është sensibilizuar edhe politika. Sindikalistja dhe deputetja nacionale e SP-së nga St. Gallen, Barbara Gysi, para pak kohësh ka pasur një interpelancë me ministrin, me ç’rast kërkon shpjegime për gjendjen momentale lidhur me Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Kosovën. Ajo është interesuar edhe për ndonjë zgjidhje të ndërmjetme, deri në arritjen e një marrëveshjeje. Artikulli thotë se deputetja deri më tani nuk ka marrë një përgjigje. Ajo është para së gjithash e keqardhur për të prekurit, të cilët me këtë «kanë humbur bazën e ekzistencës”.
Për Osman Osmanin situata e krijuar ka edhe një kosoto për Zvicrën. Duke qenë se pensionistët detyrohen megjithatë të qëndrojnë në Zvicër dhe pensionet e tyre janë të ulëta, ata janë të varur edhe nga të ardhurat shtesë – “Ergänzungsleistungen”. Ndërsa në Kosovë pensioni i tyre do t’u dilte mirë./DialogPlus/.kohaislame
Artikulli paraprakEmigrantët e Zvicrës, të integruar mirë në tregun e punës
Artikulli vijuesBritania e Madhe planifikon sulme ajrore kundër DAESH në Siri