Sa e ekspozuar është realisht jeta juaj ndaj hakimit

Në ditët e sotme, po rritet në mënyrë të frikshme numri i të dhënave që hakerët vjedhin çdo ditë nga kompjuterët e njerëzve të ndryshëm.

Por, sa e lehtë është për t’u hakuar jeta juaj dhe realisht sa e ekspozuar është ndaj hakimit? Sa i vështirë mund të jetë aksesimi i materialeve tuaja nga një haker? Shpeshherë përgjigjja është më e thjeshtë se sa mendoni ju…

A jeni objektiv lehtësisht i arritshëm?

Sipas një sondazhi të realizuar nga Harris Interactive, pjesa më e madhe e amerikanëve që përdorin internetin shprehen se janë të shqetësuar për sigurinë e të dhënave të tyre online. Rreth 88% e 2208 njerëzve të pyetur thanë se janë “deri diku të shqetësuar” dhe 29% shprehen se janë “jashtëzakonisht të shqetësuar”. Për më tepër, tre në pesë persona mendojnë se janë të ekspozuar ndaj hakimit. Dhe në fakt, duhet të jemi. John Harrison, menaxher në Symantec Security and Response thotë se njerëzit ndajnë më tepër të dhëna në ueb se sa mendojnë se ndajnë realisht. Një pjesë e konsiderueshme e tyre gjenden nëpër rrjetet sociale, nëpër rekordet publike, nëpër profile të ndryshme etj.

“Çdo informacion i vogël plotëson tablonë përfundimtare”,- thotë Harrison. “Sigurisht që ne nuk i publikojmë të gjitha të dhënat tona, por ndonjëherë mjafton të bëhet lidhja logjike mes tyre për të arritur në një përfundim që ne mund të mos e kemi publikuar. P.sh, ju mund të mos e vendosni vitin tuaj të lindjes në Facebook, por nuk është e vështirë për këdo që duke parë vitin e përfundimit të maturës, të gjejë moshën tuaj.”

Mbroni veten në mënyrë të lehtë

Nëse e përdorni internetin për punë të rëndësishme si: dërgim e-mailesh, ngarkim fotosh, pjesëmarrje aktive në rrjetet sociale, shopping etj, duhet të keni kujdes më të dhënat tuaja që qarkullojnë në ueb. Edhe pse mund të mos keni qenë shumë online, pjesë të të dhënave tuaja personale mund të jenë të aksesueshme përmes regjistrimeve publike të dixhitalizuara. Një person që interesohet për ju, mund të gjejë nëse keni një kredi, ose nëse jeni martuar apo divorcuar. Me shumë mundësi e dini se një fjalëkalim me pesë karaktere, me fjalë që mund të gjenden në fjalor, është lehtësisht i hakueshëm. Por ndoshta ndonjëherë nuk arrini t’i mbani mend të gjitha fjalëkalimet tuaja të vështira. Prandaj, më poshtë ju japim disa sugjerime mbi sigurinë e të dhënave tuaja, që reduktojnë riskun e të qenurit të ekspozuar ndaj hakimit.

Kërkoni për veten tuaj

Para se të shqetësoheni, ju rekomandojmë të kërkoni për veten tuaj. Shkruani emrin tuaj në Google – me thonjëza dhe pa të tilla, si dhe me fjalë kyçe që lidhen me ju, si p.sh adresa, numri i telefonit, adresat

e e-mailit, pozicioni i punës, kompania dhe arsimimi. Shikoni me kujdes rezultatet dhe përpiquni t’i shihni ato nga këndvështrimi i një hakeri. A ka mjaftueshëm të dhëna për të krijuar një tablo të qartë të jetës suaj? Nëse po, duhet të merrni disa masa për të rritur sigurinë tuaj.

Përdorni “frazë kalime” në vend të fjalëkalimeve

Fjalëkalimet janë një çështje e rrezikshme kur vjen puna tek siguria jonë. Fjalëkalimet më efikase janë ato që gjenerohen nga kompjuterët, që përfshijnë shkronja, numra dhe karaktere të veçanta (si p.sh shenjat e pikësimit). Fatkeqësisht, këto lloj fjalëkalimesh ( vargjet alfanumerike) janë të vështira për t’u mbajtur mend.

Por meqenëse pjesa më e madhe e fjalëkalimeve vidhen përmes forcës brutale, që do të thotë, një program kompjuterik teston qindra mijëra kombinime të ndryshme karakteresh, fjalëkalimet e gjata janë më të sigurta, pasi kërkojnë më tepër kohë për t’u zbuluar.

P.sh, një procesor Intel Core i7 mund të zbulojë një fjalëkalim me pesë karaktere në vetëm disa orë, ndërsa për të zbuluar një fjalëkalim me shtatë karaktere i nevojiten më tepër se 10 ditë. Prandaj, ekspertët rekomandojnë përdorimin e “frazë kalimeve”.

Qëndroni të përditësuar

Një nga mënyrat më të thjeshta për të parandaluar aksesimin e paautorizuar të materialeve në kompjuter është përditësimi i vazhdueshëm i të gjitha aplikacioneve, së bashku me antivirusin. Zakonisht, maluerët që shkarkohen në kompjuter kur klikojmë në link të infektuar, shpërndahen dhe iu bashkëngjiten programeve të ndryshme. Ato mund të largohen vetëm në qoftë se i përditësojmë këto programe.

Krijoni prioritete për llogaritë tuaja

Ndoshta nuk arrini të mbani mend frazë kalimet komplekse për çdo llogari që keni dhe kjo është mese e logjikshme. Në vend që të krijoni fjalëkalime të ndryshme për çdo llogari që keni, përpiquni të krijoni një listë me ato që janë më tepër të rëndësishme, si e-maili, llogaria bankare online, rrjetet sociale apo llogari të tjera që përmbajnë informacione sensitive. Për ato më pak të rëndësishme si forumet etj, mund të përdorni fjalëkalime jo fort të sigurta.

Po ashtu, sugjerohet që të krijoni një adresë e-maili që ta përdorni për regjistrimet në forume, revista online, marrjen e lajmeve nga kompani të ndryshme (newsletters) etj. Gjithashtu, duhet të keni kujdes me informacionet që jepni në faqe uebi të ndryshme. Sigurisht që banka duhet ta dijë adresën tuaj të plotë por një forum. Nëse disa fusha që përmbajnë informacione sensitive janë të detyrueshme, shkruani diçka që nuk pasqyron të dhënat tuaja reale.

Mbrojeni veten edhe offline

Vjedhja e identitetit offline është po aq e përhapur sa edhe ajo online. Arsyeja? Adresat e e-mailit kanë fjalëkalime, ndërsa kutitë postare apo portofoli juaj jo. Për të mbrojtur veten tuaj offline, merrni një ku
ti postare me çelës dhe grisini të gjitha dokumentet që nuk ju duhen më. Mos harroni të mos e mbani asnjëherë me vete kartën e sigurimeve shoqërore.

Përdorni një menaxhues fjalëkalimesh

Edhe pse duan pak kohë për të kuptuar opsionet, ato ia vlejnë nëse jeni të shqetësuar për integritetin e fjalëkalimeve tuaja. Të tilla janë Dashlane, 1Password apo LastPass, të cilat përveçse ruajnë të gjitha fjalëkalimet tuaja, kërkojnë edhe një fjalëkalim tjetër për t’i aksesuar ato. Ato mund të gjenerojnë edhe fjalëkalime të sigurta.

Kur të zgjidhni një menaxhues fjalëkalimesh, sigurohuni që të jetë i pajtueshëm me të gjitha pajisjet tuaja, përfshirë tabletin dhe celularin. Dashlane, 1Password dhe LastPass janë të pajtueshëm me Windows, Mac OS X, iOS dhe Android. LastPass është po ashtu kompatibël me Linux, BlackBerry, Windows Phone, WebOS dhe Symbian.

Bëni ngrirjen e raportit tuaj kreditor

Është një nga hapat më efektivë për të parandaluar vjedhjen e identitetit. Nëse jeni mbi 30 vjeç dhe nuk keni në plan të martoheni, ndoshta nuk do t’ju duhet të aplikoni për një kredi apo për karta shtesë krediti. Për këtë arsye, raporti juaj kreditor nuk është i nevojshëm të jetë disponibël. Për të bërë ngrirjen e raportit tuaj kreditor, duhet të kontaktoni zyrat e dhënies së kredive ose bankat.

Edhe masat më të vogla janë të rëndësishme

McLean, drejtor i McAfee Global Threat Intelligence, thotë se marrja e masave minimale për sigurinë është njësoj si t’i shpëtosh një ariu: nuk duhet me domosdoshmëri të jesh më i shpejtë se ai, thjesht duhet të jesh më i shpejtë se shoku juaj që po ndiqet gjithashtu nga ariu. Hakerat janë të zgjuar, por paksa dembelë. Kështu që, në qoftë se nuk jeni një objektiv tepër potencial, hakeri do të hiqte dorë nga ju nëse shihte se të dhënat tuaja janë të vështira për t’u aksesuar. (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakShfaqen disa fotografi të Samsung Galaxy S4 mini
Artikulli vijuesÇaji i xhenxhefilit ndihmon lirimin nga stresi