Sa të sigurta janë centralet bërthamore në Gjermani?

Në centralet bërthamore gjermane ka mangësi serioze sigurie. Kjo konstatohet në një studim të Komisionit të BE-së. Detajet do të bëhen të ditura nga mesi i tetorit. Por ekspertët e dinë se cilat janë problemet.
Brenda 10 vitesh në Gjermani duhet të nxirren nga përdorimi të gjitha centralet bërthamore. Kështu parashikohet me planet e qeverisë gjermane. Por deri atëherë mbetet rreziku i shtuar nga këto centrale. Rreziku kërcënon edhe nga centralet e mbyllura ndërkohë, thuhet në përmbledhjen e studimit të BE-së.
Ministria gjermane e Mjedisit nuk jep vlerësime lidhur me këtë çështje. Ajo shpjegon se centralet nuk janë të rrezikuara nga vërshimet dhe mungesa eventuale e furnizimit me energji në rastet emergjente. Sipas tyre, për këto raste janë ndërmarrë masat e duhura të sigurisë.
Por ekspertët e BE-së mendojnë ndryshe. Në testet e tyre thuhet se centraleve bërthamore në Gjermani u mungojnë sistemet për paralajmërime nga termetet. Ndërkohë që nuk janë siguruar as masat për mbrojtje që parashikohen me rregullat ndërkombëtare për rastet e fatkeqësive të rënda.
Furnizuesit e mëdhenj me energji nga centralet bërthamore thonë se në Gjermani gati që nuk ka asnjë central në përdorim në zonat e cënuara nga dridhjet e tokës. Një zëdhënës i tyre pohon se në kohën e këtij studimi në Gjermani kanë ekzistuar të gjitha masat e duhura për siguri, të parashikuara me rregullat ndërkombëtare.

Reziku i lartë
Incidenti i fundit në një central bërthamor në Brokdorf të Saksonisë së Poshtme dëshmon se cili është rreziku më i madh që kërcënon: rreziku nga zëvendësimi i pjesëve të vjetra me të reja. Sistemet e vjetra analoge duhet të zëvendësohen me digjitale, por jo të gjitha sistemet janë kompatibël. Për shembull, sipas një raporti në reaktorin më të vjetër në Gjermani, në Nekarvesthajm është bllokuar sistemi kur janë bërë përpjekjet për zëvendësimin e një pjese të vjetër me një digjitale. Në këtë rarpot thuhet se disa pjesë janë madje më të vjetra se 27 vjet dhe ato duhet të zëvendësohen.

Frika nga sulmet terroriste
Në raportin e Komisionit të BE-së nuk flitet fare për rreziqet nga sulmet terroriste. Ndërkohë që ekspertët kanë paralajmëruar kaherë se mangësitë në këto centrale mund të jenë shënjestër e mundshme e terroristëve. Qeveria gjermane ka kërkuar prej ekspertëve amerikanë vlerësime për mundësinë e mbrojtjes më efikase ndaj sulmeve të mundshme terroriste me avionë apo me armë të rënda. Eksperët kanë sugjeruar që centralet atomike të rrethohen me mure prej betoni në trashësi prej dy apo tre metrash si dhe me sisteme të tjera mbrojtëse nga metali.
Por ende nuk dihet nëse këto plane dhe sugjerime janë zbatuar. Për këtë çështje heshtin si prodhuesit e energjisë, furnizuesit, autoritetet për mbikqyrje dhe ministria e Mjedisit. Kur i pyet për sigurinë, ata përgjigjen se kjo është fshehtësi afariste.
S’ka mbrojtje nga rënia e ndonjë avioni
Më shumë për sigurinë e centraleve bërthamore në Gjermani flasin organizatat joqeveritare, siç janë organizata e mjekëve IPPNW apo Greenpeace. Të dy këto organizata kanë kërkuar hetime shtesë. Rezultati: asnjë central bërthamor në Gjermani nuk është i mbrojtur nga rënia e mundshme mbi të e ndonjë avioni të madh, pohon Tobias Riedl nga organizata Greenpeace. Centralet e vjetra janë më të rrezikuara, sepse muret mbrojtëse janë më të holla. Madje edhe avionët më të vogël mund të shkaktojnë dëme shumë të mëdha.

Shoqata për Mbrojtjen e Centraleve dhe Sigurinë e Reaktorëve ka kërkuar që në avionët e pasagjerëve të vihet një pjesë speciale elektronike, e cila avionit automatikisht do t’ia ndryshonte drejtimin, në qoftë se ai ndryshon kursin dhe shkon në drejtim të ndonjë centrali bërthamor. Në pyetjen nëse kjo kërkesë është zbatuar, askush nuk jep përgjigje zyrtare. E vetmja përgjigje që mund të marrësh është se ndërkohë në afërsi të centraleve nuk lejohet ulja e asnjë helikopterri.
Rreziqet nga termetet dhe vërshimet
Kritikët thonë se asnjë central bërthamor gjerman nuk është i mbrojtur sa duhet nga tërmetet apo vërshimet. Henrik Paulitz, nga organizata IPPNW thotë se ka vite që është marrë me studime të ndryshme dhe të gjitha kanë dëshmuar se muret apo digat për mbrojtje nga vërshimet janë shumë të dobëta. Paulitz paralajmëron edhe nga mundësia e rënies së sistemit të furnizimit me energji në centralet bërthamore në raste emergjente. Sipas tij, këto sisteme nuk funksionojnë si duhet.

Parimi kryesor – shpresa
Në një vendim të Gjykatës federale thuhet se furnizuesit me enegji nga centralet bërthamore e kanë për obligim të kujdesen më shumë për sigurinë. Por as në këtë sektor nuk janë parashikuar kosto tepër të mëdha. Ndaj prodhuesit e energjisë së këtillë thonë se mjetet për siguri janë tepër të shtrenjta. Në një studim për sigurinë e centraleve, të kryer në vitin 1989, thuhet se në centralet bërthamore në Gjermani mund të pritet ndonjë avari tepër e madhe një herë në 33.000 vjet. Por askush nuk mund të thotë se kur mund të ndodhë kjo fatkeqësi dhe cilat mund të jenë pasoat e saj.

Artikulli paraprakErdogan i jep ish zv/presidentit irakian shtetësinë turke
Artikulli vijuesNdihmat e Perëndimit për Lindjen