Samsung ndalon shitjet e Note 7

Duhej të hidhej në treg pikërisht ditën e sotme, por një e papritur ka detyruar Samsung që të shtyjë me të paktën dy javë nisjen e shitjeve për Galaxy Note 7, produkti i fundit i serive Note.

Kompania koreano-jugore njoftoi se ka ndalur përkohësisht dërgesat për tre kompanitë kryesore të telefonisë celulare në vendlindje dhe shkak është një problem me baterinë e pajisjes.

Vetë kompania nuk ka dhënë shumë detaje për problemin në fjalë, por nëpër forumet teknologjike thuhet se janë regjistruar disa raste shpërthimi të telefonit gjatë ose pas karikimit (shih foto).

20160902131551881

Samsung thotë se është duke kryer testimet e nevojshme për riparimin e avarisë dhe kërkon dy javë kohë për ta korrigjuar atë.

Tërheqja e pajisjeve nga publikimi mbërrin vetëm 5 ditë nga hedhja në treg e iPhone 7, rivali kryesor në tregun e telefonave inteligjentë i kompanisë koreano-jugore.

Galaxy Note 7 u prezantua më 2 gusht. Në fakt, produkti është i gjashti në serinë e këtij lloji, por Samsung vendosi numrin “7” dhe për këtë shpjegimin e ka dhënë kohë më parë, kur deklaroi se Note 7 do të ishte një version hibrid mes Note 5 dhe S7 Edge.

Prenotimet për këtë pajisje filluan zyrtarisht një ditë më pas ndërsa më 19 gusht ishte i disponueshëm për të gjithë të interesuarit përmes kompanive kryesore të telefonisë që operojnë ndërkombëtarisht.

Sa u takon parametrave, Note 7 ka të njëjtat me S7 dhe S7 Edge, një procesor Qualcomm Snapdragon 820, 4 GB RAM, të njëjtën teknologji karikimi dhe Wifi dhe kamera kryesore 12 megapixel.

Ndryshimi është bateria, që është 3500 mAh, 500 më shumë se paraardhësi i tij, ndërsa risia më e madhe është tek identifikimi përmes skanimit të syve, teknologjia “Iris Scan”, që i shtohet asaj me gjurmë gishtërinjsh, transmeton tch. Pajisja është rezistente ndaj ujit, madje edhe mund të shkruash mesazhe nën ujë me të.

Note 7 doli me sistemin Android 6.0 Marshmallow, por kompania koreano-jugore thotë se në muajt në vijim do të zëvendësohet nga Android 7.0 Nougat.

Artikulli paraprakNjë vit më vonë, si e harruam Alan Kurdin?
Artikulli vijuesUshqimi pas orës 7 në mbrëmje rrit rrezikun për sulm në zemër