Senati i jep 60 ditë afat për sulme ndaj Sirisë

Uashington, 4 shtator – Komiteti për Marrëdhënie të Jashtme i Senatit Amerikan ka rënë dakord për rezolutën, e cila autorizon forcën ushtarake në Siri, për të ndëshkuar Damaskun për sulmin e dyshuar kimik.

Sipas raporteve të shtypit perëndimor, rezoluta ndalon trupat tokësore amerikane nga operacionet luftarake dhe vendos afatin maksimal prej 90 ditësh për çdo aksion.

Drafti kufizon autorizimin në 60 ditë, me një opsion për 30 ditë të tjera shtesë, si dhe bën të qartë se nuk do të dërgohen trupa ushtarakë amerikane në terren. Komiteti është pajtuar për tekstin, pas seancave dëgjimore.

Sekretari amerikan i Shtetit Xhon Keri tha se ai nuk ka dyshim se mos marrja e masave ndaj Sirisë nga Shtetet e Bashkuara do të çonte në një intensifikim të luftës dhe shtim të përdorimit të armëve kimike.Sekretari Keri dje foli para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, në një përpjekje për të bindur ligjvënësit të mbështesin ndërhyrjen ushtarake në Siri.

Ai tha se dëshira e presidentit Asad për të qëndruar në pushtet ka bërë që ai të përdorë gazin helmues kundër civilëve në periferi të Damaskut.Presidenti Obama ka thënë se do të kërkojë miratimin e kongresit përpara se të marrë vendimin për të sulmuar Sirinë.

Sekretari Keri u tha senatorëve se ndërhyrja ushtarake kundër Sirisë është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, por Irani, Hezbollahu dhe Koreja e Veriut po shpresojnë për një mosanagazhim amerikan në Siri.

Në përgjigje të një pyetjeje nga një anëtar i Komisionit mbi dërgimin e trupave amerikane, sekretari Keri theksoi se në asnjë mënyrë nuk do të ketë dërgim të trupave amerikane në Siri. Ai shtoi se shkatërrimi i regjimit të Asadit varet nga populli sirian.

Kryetari i Marrëdhënieve të Jashtme, Robert Menendez, senator demokrat i Nju-Xhersit, nxiti Kongresin të mbështesë sulmet ushtarake të propozuara. Por, ai tha se së bashku me senatorin republikan të Tenesis, anëtar të komitetit, Bob Korker, do të rishkruanin draft-rezolutën e administratës së Obamës, për të adresuar disa prej shqetësimeve të shprehura gjatë seancës dëgjimore.Më vonë, ai lëshoi një deklaratë, ku thoshte se ai dhe Korker kishin negociuar me sukses teksin e ri të projektligjit.

“Së bashku, kemi ndjekur një kurs veprimesh, të cilat i japin presidentit autoritetin e nevojshëm prej tij për të nisur sulmet në kundërpërgjigje të përdorimit kriminal të armëve kimike nga regjimi i Assad kundër popullit sirian, ndërkohë që siguroi se autorizimi do të ishte jo i gjerë dhe i fokusuar, i kufizuar në kohë dhe se Forcat e Armatosura të SHBA-së nuk do të zbrisnin në terren për dyluftime tokësore në Siri”, deklaroi ai.

“Me këtë marrëveshje, ne jemi vetëm një hap larg dhënies së autoritetit për të vepruar presidentit në interes të sigurisë sonë kombëtare”, shtoi Menendez.

Artikulli paraprakZbardhni dhëmbët me preparate shtëpiake
Artikulli vijuesSHAMIA NË KOSOVË, NJË DEBAT TEORIK