Serbët mblidhen në Jarinë, me pas shkatërrojnë pikën kufitare

Një grup serbësh prej 50 personave kanë demoluar mbrëmë pas mesnate një pjesë të shtëpizave si dhe mjete tjera përcjellëse në pikën kufitare Jarinje, bëjnë të ditura burimet e Kosovapress-it.
Sipas këtyre burimeve ka reaguar menjëherë xhandarmeria serbe, ndërkohë që atje në orët e hershme të mëngjesit janë parë edhe krerët ilegal të komunave veriore.

Ata po mbajnë të bllokuar pikën kufitare duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve në këtë pikë, ndërsa serbët në veri të Mitrovicës kanë aktivizuar alarmin që nga ora 7.45 për të ftuar qytetarët, që në numër sa më të madh të shkojnë në Jarinje, alarmi po dëgjohet edhe në këto momente, ndërkohë situata në pikën kufitare në Jarinje paraqitet e tensionuar.


 

Disa dhjetëra serbë janë mbledhur sot në Jarinë, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj bisedimeve që po zhvillohen sot në Bruksel, mbi zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Marrëveshja në fjalë pritet të nis së zbatuari më 10 dhjetor të këtij viti.

Protesta thuhet se po mbahet në zonën e ndërmjetme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më saktësisht në magjistralen Leposaviq – Rashkë.

Protestuesit kanë nisur të tubohen me makina në drejtim të Jarinës, pasi janë dëgjuar sirenat që në orët e hershme të mëngjesit.

Në këtë pjesë të territorit të Kosovës, sirenat rëndom shërbejnë si thirrje për protestë.

Nuk ka ende asnje njoftim zyrtar nga autoritetet e rendit në Kosovë mbi këtë tubim të sotëm.

Artikulli paraprakZbulohet 6 milion pond eksplozivi në Amerikë
Artikulli vijuesObama, i gatshëm të rinovojë paktin bërthamor