Në Serbi dje ka filluar puna në linjën hekurudhore të financuar nga Kina, që është pjesë e rrjetit kinez të së ashtuquajturës “rrugë të re të mëndafshit” dhe pjesë e premtimeve për zgjerimin e ndikimit të Kinës në Evropë.
Projekti është lansuar në periferi të Beogradit, derisa kryeministri i Kinës, Li Keqiang, në Budapest të Hungarisë, është takuar me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, në samitin e 16 vendeve të Evropës qendrore dhe lindore.
Serbia i ka huazuar 297.6 milionë dollarë amerikanë nga Banka kineze, Exim, në muajin maj, për modernizimin e hekurudhës ndërmjet Beogradit dhe Budapestit.
Kjo linjë hekurudhore që mundëson shpejtësi të madhe të trenave, ndërmjet Beogradit e Budapestit, pritet të kushtojë 3.8 miliardë dollarë dhe planifikohet që të shndërrohet në rrugën kryesore transportuese për mallrat kineze, të cilat aktualisht arrijnë nëpër det në një port të Greqisë dhe vazhdojnë për në pjesët e tjera të Evropës.