Ndërsa kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic ra dakord për bashkëpunim ushtarak dhe blerje armatimesh me Rusinë gjatë vizitës së tij në Moskë këtë javë, ushtarët serbë po përgatiten për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të në Gjermani me shtete të tjera anëtare të NATO.
Ekspertët thonë se marrëdhëniet ushtarake me Rusinë nuk do të dëmtojnë perspektivën Europiane të Serbisë, por paralajmërojnë se balancimi mes Perëndimit dhe Rusisë nuk mund të jetë një politikë afatgjatë.
Zoran Dragisic, një profesor për studimet e sigurisë në Beograd, i tha BIRN se vendimi i Serbisë për të blerë armë nga Rusia nuk do të shqetësojë shumë BE-në për shkak se zyrtarët serbë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik.
“Zyrtarët serbë kanë thënë të njëjtën gjë te partnerët e tyre rusë. Gjithsesi, Serbia nuk është një vend anëtar në BE dhe për momentin po përpiqet të ulet në dy karrige. Unë nuk mendoj se kjo është e mundur të vijojë gjatë,” tha Dragisic.
Aleksandar Radic, një ekspert ushtarak, i tha gjithashtu BIRN se blerja e armëve nuk pritet të përkeqësojë marrëdhëniet me vendet e Perëndimit.
“Nuk ka nevojë të mendoj se kjo do të përkeqësojë marrëdhëniet tona me BE-në për shkak se Serbia bashkëpunon me NATO shumë më tepër nga sa bashkëpunon me Rusinë kur vjen puna te stërvitjet ushtarake dhe pajisjet,’ tha Radic.
Kryeministri Aleksandar Vucic, i cili po viziton Rusinë këtë javë, tha se ai synonte të blinte armë dhe pajisje ushtarake nga Rusia në mënyrë që të ruante një balancë sigurie në rajon pasi Kroacia bleu pajisje të reja ushtarake.
Gjithsesi, Vucic tha se Moska të mërkurën tha se Serbia nuk do të blejë armë ofensive.
“Ne do të blejmë armë që na mundësojnë ne të mbrojmë territorin tonë,” tha Vucic.
Kommersant, e përditshmja ruse, raportoi të mërkurën se zyrtarët rusë dhe serbë kanë firmosur një memorandum mirëkuptimi që i mundëson Rusisë të “aktivizojë në mënyrë domethënëse” dorëzimin e armëve në Serbi.
Në të njëjtën kohë, rreth 100 ushtarë të këmbësorisë së Serbisë po përgatiten për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake të SHBA-së në Gjermani, Mes të tjerëve, ushtarë nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi dhe Slovenia do të bashkohen në këtë stërvitje.
Këmbësorë të ushtrisë së Serbisë do të bashkohen në stërvitjen ushtarake të udhëhequr nga SHBA. | Foto: Beta
Jo të gjithë besojnë se nënshkrimi i marrëveshjeve të reja ushtarake me Rusinë është një ide e mirë për Serbinë.
Qendra për Studime Euro-Atlantike, CEAS, një institut kërkimor në Beograd, i bëri thirrje Serbisë të mos nënshkruajë marrëveshje ekonomike me Rusinë të cilat mund të shkelin sanksionet ekonomike të Perëndimit kundër Moskës, sanksione të lidhura me Ukrainën. Vendimi për të nënshkruar marrëveshje me Rusinë dhe që shkon kundër sanksioneve të vendosura kundër Rusisë mund të dëmtojë procesin negociues të Serbisë me BE-në, tha CEAS të martën.
Gjithsesi, kur vjen puna për bashkëpunim ushtarak, Dragisic argumenton se një numër anëtarësh të NATO-s përdorin armë të prodhurara në Rusi.
“Nuk duhet të harrojmë se edhe disa vende anëtare të NATO, të cilat kanë qenë më herët anëtare të Paktit të Varshavës, kanë ende armë të prodhimit rus,” tha ai.
“Që të zëvendësosh armatimet është e kushtueshme dhe kërkon kohë. Bullgaria, Hungaria, Republika e Çekisë nuk e kanë përfunduar ende këtë proces kështu që askush nuk mund të presë që Serbia ta bëjë,” tha Dragisic për BIRN.
Serbia shpalli doktrinën e neutralitetit të armatosur në dhjetor 2007 dhe qeveria aktuale nuk ka folur ndonjëherë për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë politikë.
Ministri i Mbrojtjes Bratislav Gasic tha se ushtria e Serbisë përpiqet të bëjë një politikë të balancuar ushtarake dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Ne do të kemi stërvitje të përbashkëta me Rusinë dhe NATO dhe personeli ynë ushtarak ka kryer programe stërvitore si në Rusi ashtu edhe në SHBA,” tha Gasic për gazetën serbe Blic më 19 gusht.
Gjithsesi, Dragisic tha se kjo nuk mund të mbetet politikë afatgjatë. “Ne shpejt do ta gjejmë veten në një situatë ku dukshëm do të duhet të zgjedhim anë,” tha ai.