Serbia drejt zgjedhjes së presidentit të ri

Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë 11 kandidatë, ndërkohë që sipas të dhënave të Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK), të drejtë vote kanë 6.724.172 qytetarë

Qytetarët e Serbisë do të votojnë më 2 prill për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, shkruan  (AA).

Në zgjedhjet presidenciale marrin pjesë 11 kandidatë, ndërkohë që sipas të dhënave të Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK), të drejtë vote kanë 6.724.172 qytetarë.

Në garën për president të vendit kandidon edhe kryeministri Aleksandar Vuçiç teksa garojnë edhe ish-ministri i jashtëm Vuk Jeremiç dhe lideri i radikalëve serb që vazhdimisht spikat me qëndrimin e tij kundër Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s, Vojisllav Sheshel.

( Ahmet Burak Özkan - Anadolu Agency )

Në mesin e kandidatëve të tjerë garues gjenden edhe Sasha Jankoviç, Mirosllav Paroviç, Sasha Raduloviç, Luka Maksimoviç, Boshko Obradoviç, Aleksandar Popoviç, Milan Stamatoviç dhe Nenad Çanak.

Anketat zgjedhore flasin se kryeministri Vuçiç, kandidati i koalicionit të kryesuar nga Partia Përparimtare e Serbisë (SNS) që siguroi 48,25 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara të përgjithshme, do të fitojë zgjedhjet në raundin e parë të zgjedhjeve me mbi 50 për qind të votave, kurse kandidati më afër Vuçiçit do të jetë Jankoviç me mbështetjen e 12 për qind të votuesve.

Maksimoviç, i cili sipas anketave radhitet i treti, ka tërhequr vëmendjen me mbështetjen e madhe edhe pse është përfaqësues i një subjekti politik satirik ndaj sistemit aktual politik në vend e që quhet “Nuk ke provuar sarmat”.

Anketat po ashtu tregojnë se Jeremiç dhe Sheshel mund të marrin shtatë për qind të votave dhe se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë më e madhe sesa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2016.

Theksi mbi “një njeri” në fushatën e Vuçiçit

Kryeministri Vuçiç, që tregohet si kandidati më i fuqishëm i zgjedhjeve presidenciale, ka tërhequr vëmendjen me theksin mbi “një njeri” në filmin e shkurtër të përgatitur për fushatën zgjedhore.

Në film, Vuçic zgjohet në një aeroplan të cilin dy pilotë përpiqen për ta dërguar në dy drejtime të ndryshme, duke u shprehur: “Ky mund të ishte makthi më i keq. Edhe vendi ynë, njëlloj sikurse ky aeroplan, është lënë nën administrimin e dy personave, presidentit dhe kryeministrit. Nëse këta dy persona dërgojnë vendin në dy kahe të ndryshme, nuk do të mund ta ruajmë stabilitetin të cilin e kemi sot”.

Vuçiç, i cili ka spikatur viteve të fundit në politikën serbe, supozohet se nëse rast se zgjidhet, nuk do të jetë president që do të qëndrojë në plan të pasme, por do të vazhdojë të ngelë në plan të parë me performancën e tij direkte.

Gjatë mandatit të Vuçiçit, Serbia nga njëra anë filloi t’i japë rëndësi procesit të anëtarësimit në BE dhe filloi me bisedimet për anëtarësim dhe në këtë mënyrë mori mbështetjen e Gjermanisë. Nga ana tjetër, ajo nuk iu bashkangjit sanksioneve që BE zbatoi ndaj Rusisë, të cilën e cilëson si “aleat tradicional” dhe kështu nuk ka humbur mbështetjen e Rusisë që vazhdon që nga e kaluara.

Sasha Jankoviç – nga avokat i popullit në kandidat presidencial

Avokati i popullit Sasha Jankoviç, i cili sipas anketave tregohet si kandidati më i fuqishëm pas kryeministrit Vuçiç, thekson se nëse zgjidhet president nuk do të jetë president që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, megjithatë është i mendimit se Serbia duhet pranoj vendimet e gjykatave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me ndodhitë gjatë luftës në Bosnjë.

Jankoviç, i cili në politikën e jashtme përkrah BE-në, por është pro “neutralitetit ushtarak” për sa i përket anëtarësimit në NATO, është në favor të zhvillimit të marrëdhënieve me Rusinë veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Vojisllav Shesel – ish-i dyshuari për krime lufte, kundërshtar i BE-së dhe NATO-s

Një tjetër emër që tërheq vëmendjen në mesin e kandidatëve është Vojisllav Sheshel, i cili njihet me qëndrimin e rreptë kundër BE-së dhe NATO-s.

Sheshel, i cili u gjykua për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë për krimet e kryera gjatë luftës së Bosnjës (1992-1995) por i cili u lirua nga akuzat vitin e kaluar, njihet për qëndrimin e tij radikal.

Në shumë mitingje ku mori pjesë pas lirimit nga burgu nga i cili u gjykua, Sheshel dogji flamujt e BE-së dhe NATO-s, teksa ngelet emër popullor në mesin e ultra-nacionalistëve serbë në vend.

Kryetari i Partisë Radikale Serbe (SRS) Sheshel mbron mendimin se Serbia nuk duhet të jetë anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe fokusi i saj në politikën e jashtme duhet të jetë Rusia.

Jeremiç me rrënjë diplomatike dhe skandali me Marshin e Drinës

Një nga emrat më të njohur në mesin e kandidatëve është ish-ministri i jashtëm i Serbisë dhe kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në periudhën 2012-2013, Vuk Jeremiç.

Në periudhën sa ishte kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Jeremiç u bë shkak i skandalit të Marshit të Drinës, i cili shkaktoi reagimin e viktimave të luftës së Bosnjës.

Atë periudhë, kori serb “Viva Vox” i cili performoi me një koncert në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së me rastin e vitit të ri ortodoks, interpretoi Marshin e Drinës i cili ishte kënduar nga ushtarët serbë gjatë masakrave ndaj boshnjakëve dhe kroatëve në vitet e 90-ta, teksa sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dhe zyrtarët e tjerë në sallë shoqëruan marshin duke e duartrokitur.

Kjo ngjarje ishte cilësuar si “skandal” nga të afërmit e viktimave boshnjake.

Çanak: “Do ta njoh Kosovën”

Megjithëse nuk ka spikatur shumë në mesin e kandidatëve si Vuçiç, Jeremiç, Sheshel dhe Jankoviç, emër që është përfolur me deklaratat në një program televiziv është Nenad Çanak.

Çanak, kandidat i Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, ndryshe nga kandidatët e tjerë, ka thënë se do ta pranojë pavarësinë e Kosovës në rast se zgjidhet president dhe se pranimi i kësaj është një e vërtetë e nevojshme.

Çanak ka theksuar se Kosova është shtet me institucionet, gjyqësorin, doganat dhe ushtrinë e saj, duke shtuar se Serbia nuk ka asnjë efekt në Kosovë, sado që kjo e fundit të cilësohet si “zemra e Serbisë”.

Ai është shprehur se në rast se zgjidhet president, do ta njohë pavarësinë e Kosovës “për hirë të ardhmërisë së tërë rajonit”, duke shtuar se mosnjohja e këtij realiteti do të jetë të jetosh me gabim.

Derisa vazhdon fushata zgjedhore, nuk kanë ngelur pa u vërejtur edhe kërcënimet e shumta me vdekje që Çanak ka marrë përmes faqeve sociale.

Kë do ta mbështesin boshnjakët?

Popullata boshnjake në vend është përcaktuar e ndarë për sa i përket asaj se kë do të mbështesin si kandidat në zgjedhjet presidenciale.

Partia e Veprimit Demokratik e Sanxhakut (SDA Sanxhaka) nuk ka deklaruar në mënyrë të prerë se cilin kandidat do të mbështesë, duke kërkuar nga kandidatët përmes deklaratave të publikuara që të jenë më të qartë në çështjet që kanë të bëjnë me interesat e boshnjakëve dhe rajonit të Sanxhakut. Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të mund të motivoheshin votuesit boshnjakë për të dalë në zgjedhje.

Nga ana tjetër, Muamer Zukorliç, ish-myftiu i Sanxhakut dhe njëri nga deputetët boshnjakë në kuvend, ka deklaruar se në zgjedhje do të mbështesë kryeministrin Vuçiç.

Zukorliç, kryetar i Bashkësisë Demokratike Boshnjake të Sanxhakut (BDZ Sanxhaka), ka theksuar se zgjedhja e Vuçiçit do të ishte “më e mira për boshnjakët”, duke u bërë thirrje votuesve që ia besuan votën zgjedhjet e fundit të votojnë për Vuçiçin, i cili, sipas tij, i jep rëndësi dialogut mes popullit boshnjak dhe atij serb, paqes dhe stabilitetit.

Ndërkaq, dihet se kryetari i Partisë Social Demokratike të Serbisë (SDP), Rasim Ljajiç, i cili ushtron detyrën e ministrit të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit, është pjesë e koalicionit që mbështet kryeministrin Vuçiç.

Procesi i zgjedhjes së presidentit

Presidenti i zgjedhur nga populli në Serbi, ushtron detyrën në periudhë prej pesë vitesh. Kandidatët potencialë duhet që së paku 20 ditë para datës së zgjedhjeve të aplikojnë në komisionin zgjedhor.

Në rast se në raundin e parë asnjë kandidat nuk merr më shumë se gjysmën e votave, atëherë zgjedhjet kalojnë në raundin e dytë. Në raundin e dytë garojnë dy kandidatët me numrin më të madh të votave në raundin e parë, ndërsa fitues shpallet kandidati që merr numrin më të madh të votave.

Artikulli paraprakDemarkacioni rikthehet në Kuvend, pasi që Qeveria të sigurohet për votat
Artikulli vijuesSenati i Spanjës refuzon njohjen e kosovës