Serbia vendos ndalesa për emigrantët sirian që kalojnë përmes Maqedonisë!

Autoritetet serbe kanë mbyllur pikën kufitare në Tabanocë duke ndaluar kështu lëvizjen e emigrantëve që kalojnë nga Maqedonia për në Serbi, e që më pas, marrin rrugën drejt Evropës. Sqarimi i autoriteteve serbe për këtë hap është se Kampi i refugjatëve në Luginën e Preshevës tashmë është i mbushur dhe nuk mund të pranojë më emigrantë. Sipas të dhënave të shpallura nëpër mediat serbe, nga hapja e kampit të refugjatëve në Luginën e Preshevës me 8 qershor të këtij viti deri tani kanë kaluar më shumë se 6 mijë njerëz, kurse për çdo ditë autoritetet serbe japin nga 1 mijë vërtetime për emigrantët. Ndërkohë nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë thonë se deri tani nuk janë regjistruar raste që shteti serb të kthejë në Maqedoni emigrantë që kanë hyrë në këtë shtet.
“Në Maqedoni deri më tani nuk është regjistruar ndonjë grup emigrantësh që është kthyer nga Serbia. Nëse do të ketë ndonjë rast të tillë policia maqedonase do të informojë opinionin,” thonë përmes një kumtese me shkrim nga MPB.
 
Një pjesë e mediave serbe shkruajnë se muri që po ndërtojnë autoritetet hungareze përgjatë vijës kufitare me Serbinë do t’i ndryshojë rutën refugjatëve, përkatësisht do t’i orientojë ata që rrugën drejt BE-së ta kërkojnë përmes Kroacisë. Por Hungaria edhe më tej këmbëngul që të ndërtojë këtë mur pasi nga 60 mijë emigrantët që kanë hyrë në territor të saj, ajo është e gatshme të strehojë vetëm 3 mijë prej tyre. Nga ana tjetër, mediat ndërkombëtare vazhdojnë të raportojnë rreth gjendjes së emigrantëve sirian në Maqedoni. Sipas tyre, për të siguruar një biletë treni, një emigrant sirian duhet të vuajë të zitë e ullirit. BE-ja këtë të hënë pritet të arrijë marrëveshje mes gjitha shteteve anëtare se vallë azilkërkuesve që për momentin gjenden në Greqi dhe Itali të marrin lejen që u garanton atyre qëndrim në këto shtete por edhe lëvizjen e tyre brenda BE-së. Gjermania dhe Franca ditë më parë kanë njoftuar se janë të gatshme të pranojnë më shumë se 20 mijë emigrantë kurse Polonia do të pranojë vetëm 2 mijë.
Ndërkohë Austria, Sllovakia dhe Spanja kanë refuzuar të japin garanci në këtë drejtim./Alsat-M
Artikulli paraprakXhihadi nuk është Counter Strike
Artikulli vijuesMe koncertin me ilahi Forumi Rinor Islam përmbylli aktivitetet për muajin Ramazan