Serwer: Duhen veprime nga Serbia, jo vetëm fjalë

0
188

Analisti amerikan, Daniel Serwer thotë se kryeministri serb, Ivica Dacic ka dhënë disa sinjale të mira në raport me Kosovën, por tani duhet parë veprimet e tij. Megjithatë, normalizimi i raporteve mes dy vendeve, sipas tij, është ende larg.

Analisti amerikan në një intervistë për “Express” pohon se diplomacia kosovare përballë kundërshtarëve po shfaqet e talentuar, edhe pse me resurse të kufizuara.

Serwer duke folur për gjasat për një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe mundësitë për të arritur rezultate tha “Është ende herët të thuhet. Kryeministri i ri, Ivica Dacic ka thënë disa gjëra të mira: ai do t’i japë prioritet ekonomisë së Serbisë, është duke zvogëluar burokracinë që është e dedikuar për Kosovën, dhe ka thënë se do të implementojë marrëveshjet tashmë të arritura me Prishtinën. Por nuk mjafton vetëm të dëgjojmë se çfarë thotë qeveria e re, por duhet të shohim çfarë bën”.

Ndërkaq, sa i përket fazave të ardhshme për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe se a mund të normalizohen ato kur kihet parasysh lidershipi i ri atje, analisti amerikan tha se pret shumë pak.

“Unë pres shumë pak, por shpresoj që Serbia do ta pranojë se normalizimi i marrëdhënieve u shkon interesave të saj më të mira. Normalizimi domethënë për mua që Beogradi dhe Prishtina duhet të kenë përfaqësues në kryeqytetet e tyre dhe të pranojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit. Beogradi është ende shumë larg nga kjo. Nuk jam i sigurt që edhe Kosova është e gatshme për këtë”, tha Serwer.

Analisti amerikan ka folur edhe për diplomacinë kosovare karshi asaj serbe.

“Diplomacia serbe është mirë e etabluar dhe taktikisht ka qenë shumë e mirë: ajo ka ngadalësuar njohjet për Kosovën dhe ka fituar Presidencën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ajo ka bindur shumë shtete se një Kosovë e pavarur është kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale. Por nuk e shoh se çfarë të mire në fakt do të sjellë kjo krejt në fund. Njohjet janë duke ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë. Presidenca e Asamblesë së Përgjithshme do të përfundojë brenda një viti, kur shpresoj që të shohë Kosovën me mbi 100 njohje”, tha ndër të tjera Serwer. /kohaislame