Veriu i Kosovës nën Serbi

Miku i serbëve të veriut të Kosovës, ish-shefi i UNMIK-ut në Mitrovicë, Xherard Galuçi, tani diplomat amerikan në pension, u ka dërguar një mesazh miqve të tij në Mitrovicë, me të cilin i siguron se qeveria e re e Beogradit do të hapë rrugë për zgjidhjen çështjes së veriut të Kosovës.

“Përgatitja e formatit të ri të bisedimeve BeogradPrishtinë, me të cilin qeverisë së re të Beogradit i është hapur rrugë, ka nxjerrë ide të reja për zgjidhje. Megjithëse Prishtina dhe aleatët e saj mendojnë se gjithçka ka marrë fund, edhe pas katër vjetëve nga vetëproklamimi i pavarësisë së Kosovës, ajo nuk qëndron në këmbë të veta të pavarura, ndonëse 91 shtete e kanë pranuar pavarësinë e saj”, është shprehur Galuçi, i cili ka qenë administrator rajonal i UNMIKut në Mitrovicë, nga viti 2005 deri në vitin 2008 dhe gjatë asaj kohe gjithnjë ka mbajtur anën e serbëve në të gjitha çështjet, shkruan “Zëri”.
Sipas Galuçit, historia e Irlandes ka pika interesante njëjtë sikurse të Serbisë dhe të Kosovës, por edhe diferenca, e që sipas diplomatit amerikan në pension, kjo do të nxirrte një marrëveshje të qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës: “Kjo do të thoshte që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por me kushtin që veriu i Kosovës të mbetët nën sovranitetin e Serbisë, do të thotë të mbetet pjesë e saj”, ka sugjeruar Galuçi.
Në këtë mënyrë, sipas diplomatit amerikan, Kosova dhe Serbia do të lidheshin si dy shtete nën një kurorë, njëjtë sikurse Anglia dhe Irlanda. “Se a do të jetë Kosova anëtare e OKB-së është çështje e vendeve anëtare, të cilat sigurisht që do ta shikojnë gjendjen e njohjeve, por edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Në qoftë se Serbia do ta arrinte ndonjë marrëveshje me Kosovën e pavarur, ta njohë atë ose jo, kjo me siguri se do të përcillet me anëtarësim në OKB, por siç tani qëndron çështja, marrëveshje nuk do të ketë në një kohë të afërt, ndërsa numri i njohjeve nuk ka arritur gjysmën e vendeve anëtare të OKB-së. Me gjithë presionet e vazhdueshme, numri i njohjeve është ende nën 100”, ka deklaruar Galuçi.
Ai mendon se mund të ndodhë që të ketë shtete, të cilat nuk e pranojnë Kosovën e pavarur, por që mund ta marrin një hap të tillë, si rezultat i presioneve apo edhe i shpërblimeve, por nuk do të jetë e mundur që Kosovën ta njohin fuqitë e mëdha./kohaislame

Artikulli paraprakRUMANIA SHPALL TË PAVLEFSHËM REFERENDUMIN
Artikulli vijuesSerwer: Duhen veprime nga Serbia, jo vetëm fjalë