SHBA: Bie ndjeshëm besimi i konsumatorëve

Treguesi i besimit të konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara u ul ndjeshëm gjatë muajit dhjetor, nga 71.5 në 65.1 pikë, ndërkohë që amerikanët janë të shqetësuar se mosmarrëveshjet politike në Uashington mund të ngadalësojnë ekonominë dhe mund të rrisin nivelin e papunësisë.

Lynn Franco, drejtoresha e Bordit të Konferencës, enti që mat besimin e konsumatorëve, thotë se mosmarrëveshje të ngjashme mbi tavanin e borxhit, në gusht të vitit 2011, shkaktuan po ashtu një rënie të thellë të nivelit të besimit të konsumatorëve. Ekonomistët e ndjekin nga afër treguesin e besimit të konsumatorëve për të parë se sa të gatshëm janë amerikanët për të shpenzuar. Shpenzimet e konsumatorëve janë motorri kryesor i ekonomisë amerikane.

Raportet e tjera mbi ekonominë të publikuara sot ishin më optimiste. Javën e kaluar numri i amerikanëve të papunë ra në nivelin më të ulët në më shumë se katër vjet. Në raportin e Departamentit të Punës thuhet se për herë të parë kërkesat për ndihmë financiare nga të papunët u pakësuan me 12 mijë kërkesa. Javën e kaluar, kishte 350 mijë kërkesa për ndihmë financiare nga të papunët në nivel kombëtar.

Departamenti i Tregtisë tha se shitjet e shtëpive të reja në muajinë nëntor ishin në nivelin më të lartë në më shumë se dy vjet.

Artikulli paraprakStuhi e fuqishme dëbore, në SHBA anulohen 1000 fluturime
Artikulli vijuesGjobat rekorde ndaj bankave dhe fillimi i epokës së mashtrimeve?